Mijëra persona në Mexico City kanë dalë në një demonstratë kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të cilat u fituan nga Enrique Pena Nieto.
Demonstruesit mendojnë se rezultati i votimit nuk është i drejtë dhe akuzojnë partinë e Nietos, PRI-në, për blerje të votave. Shumë prej personave të pranishëm në marshimin e madh mbanin në duar pankarta ku shkruhej: “Jo më mashtrime!”
Andres Manuel Lopez Obrador, i dyti në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, ka bërë të ditur se do të ndërmarrë hapa ligjorë për kundërshtimin e procesit të votimit.
“Do të vërtetoj se janë përdorur para’ të paligjshme për blerje votash”, ka deklaruar Obrador në lidhje me zgjedhjet e 1 Korrikut.
Gjashtë vite më parë, pas një tjetër humbjeje në zgjedhjet presidenciale, Obrador udhëhoqi protesta që zgjatën për javë të tëra e që shkaktuan kaos në zonat kryesore të Mexico City.
Pena Nieto u konfirmua fitues të premten me 38.21% të votave ndaj 31.59% të Obrador.
E renditura në vendin e tretë, Josefina Vazquez Mota, e Partisë për Veprim Kombëtar, e ka pranuar humbjen.
Top Channel