Donatorët 16 mld USD për Afganistanin

08/07/2012 00:00

Donatorët në konferencën për Afganistanin, që zhvillohet në Tokio, u zotuan se do të japin 16 miliardë dollarë si ndihmë gjatë katër viteve të ardhshëm në përpjekje për t’u kujdesur për të ardhmen e këtij vendi, pas largimit të ushtarëve të huaj në vitin 2014.

Donatorët më të mëdhenj janë; Shtetet e Bashkuara, Japonia, Gjermania dhe Britania e Madhe. Premtimi për ndihmë erdhi pasi Afganistani pranoi kushtet e reja, për t’i bërë ballë korrupsionit.

Ekziston frika se Afganistani mund të bjerë në kaos pas tërheqjes së NATO-s. Në fjalën e tij, presidenti afgan Hamid Karzai u zotua se do të luftojë korrupsionin me një “dorë të fortë”. Sipas tij, pavarësisht progresit të shënuar përgjatë 10 vjetëve, ekonomia është e dobët dhe siguria mbetet një pengesë kryesore.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban ki Mun, duke iu referuar fjalëve të Karzait tha se progresi në vend është shumë delikat. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton nënvizoi se duhet reformë për të ruajtur ndryshimet e arritura në këtë vend.

Në konferences e Tokios merrnin pjesë përfaqësues nga 70 vende të botës dhe nga organizatat ndërkombëtare.

Top Channel