
Akuzat e njëpasnjëshme ndaj prokurorisë së Kosovës duket se e kanë ‘lodhur’ kryeprokurorin Ismet Kabashi. Në takimin Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit të organizuar nga presidentja Atifete Jahjaga e cila kërkoi rezultate konkrete, kryeprokurori Kabashi akuzoi agjencinë anti-korrupsion se në të shumtën e rasteve nuk ofron fakte lidhur me rastet që paraqet.
Ai tha se prokuroria nuk do të nise as edhe një hetim ndaj ndonjë ministri apo qytetari teksa agjencia bazohet dhe publikon raste me burime të fshehura edhe ndaj prokurorisë.
“Prokuroria nuk do të ndjekë penalisht asnjë ministër për veprën penale të korrupsionit vetëm për faktin se është në dijeni për ndonjë shkelje të kryer në Ministri. Fakti që denoncuesi mbetet anonim është pengesë e madhe për punën e prokurorisë sepse denoncuesi është ai që drejton prokurorinë për të hetuar drejt fakteve vendimtare. Agjencia duhet të udhëzojë edhe denoncuesin anonim se mund të ndiqet penalisht për denoncim të rreme”, tha kryeprokurori Ismet Kabashi.
Vetëm gjatë pesë mujorit të këtij vitit Agjencia anti-korrupsion ka ngritur 31 kallëzime penale me 91 persona, ndërkaq çështja e deklarimit të pasurisë është një aktivitet i cili është duke vazhduar me sukses, bëri të ditur Hasan Preteni, Shef i Agjencisë anti-korrupsion.
“Numri i qytetarëve që kanë patur detyrimin të deklarojnë pasurinë është rritur 100 përqind. Ndaj të gjithë atyre që nuk deklaruan pasurinë brenda afatit ligjor, kemi ngritur padi në gjykatat kompetente për kundravajtje ligjore”, tha zoti Hasan Preteni, kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Ndërkohë presidentja Jahjaga tha se, është e nevojshme të propozojmë ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme në ligjet përkatëse të cilat e shtojnë efikasitetin e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe e bëjnë më të suksesshme luftën kundër tij.
“Jam e interesuar për rezultatet konkrete dhe të prekshme. Paraqitje statistikore se sa raste u zbuluan dhe sa u ndëshkuan? C’masa u morën duke përfshirë këtu edhe sekuestrimin e pasurisë së fituar në mënyrë korruptive”, tha presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Kryetarja e shtetit në fund kërkoi koordinim dhe bashkëveprim të punëve në luftimin e korrupsionit. Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, deputetë e udhëheqës të Komisioneve të Kuvendit, përfaqësues të institucioneve ekonomike, pjestarë të shoqërisë civile dhe zyrtarë të tjerë.
Top Channel