Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e zgjedhur nga Kuvendi në këtë post më 7 prill të vitit 2011, ka mandat 5 vjeçar.

Sipas Kushtetutës deri në vitin 2016 ajo mund ta ushtrojë funksionin e kryetares së shtetit.Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka bërë vlerësimin e kushtetutshmërisë së amandamenteve të bëra nga Komisioni Kuvendor për Ndryshimin e Kushtetutës.

Janë 8 amandamente që sipas Kushtetueses “pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës dhe rrjedhimisht nuk janë në pajtim me të”.

Në mesin e ketyrë amandamenteve është neni i ri i propozuar 162.1 “në lidhje me ndërprerjen e parakohshme të mandatit të Presidentit të Republikës së Kosovës”.

Marrëveshja politike ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës, e Behgjet Pacollit, që i pati dhënë fund krizës presidenciale, parasheh që zgjedhjet presidenciale të mbaheshin në fund të vitit 2012.

Por mbi këtë marrëveshje tashmë është ky vendim i Kushtetueses, që ia siguron mos-ndërprerjen e mandatit presidentes aktuale, Atifete Jahjaga.

Kushtetuesja i ka vlerësuar si në papajtueshmëri me Kushtetutën edhe disa amandamente tjera të cilat kanë të bëjnë me atë se kush mund të garojë për President, kompetencat e Presidentit, të Ushtruesit të Detyrës së Presidentit.

Thaçi mbështet vendimin e gjykatës

Kryemnistri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi mbështet vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me mandatin e plotë të presidentes Atifete Jahjaga.

Në deklaratën e kryeministrit thuhet se: “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me mandatin e presidentes Atifete Jahjaga është vendim i një organi të lartë dhe të pavarur, të cilin e mbështes dhe respektoj plotësisht si kryemninistër i qeverisë së Republikës së Kosovës”.

Po ashtu, Thaçi shkruan se: “Respektimi i vendimeve të gjykatës nuk duhet të jetë vetëm rezultat i vullnetit por edhe shprehje e pjekurisë dhe domosdoshmërisë së respektimit të institucioneve të pavarura”, ndërsa shton se:

“Si lider politik dhe institucional, i respektoj vendimet e gjykatës dhe apeloj që paralelisht të punojmë në reformat kushtetuese dhe zgjedhore”.

Në fund, Thaçi fton të gjithë që, “në momente si ky, për kundër pakënaqësive që mund të shkaktohen në kontekstin e ngushtë partiak apo personal, ne e kemi për detyrë t’i tejkalojmë interesat individuale dhe të punojmë për të mirën tonë të përbashkët”.

Bajrami: Gjykata kaloi limitet

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetutese, përmes të cilit vlerësohet se “ndërprerja e parakohshme e mandatit të Presidentes nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën”, ka reaguar kryetari i Komisionit kuvendor për amandamentimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami.

I ndodhur jashtë shtetit, profesor Bajrami me deklaratën e tij dërguar mediave thotë se: “Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese tejkalon limitet e përcaktuara të juridiksionit të saj konform nenit 144 të Kushtetuës, sepse asnjëra nga amandamentet e vlerësuara nuk bie ndesh me Kapitullin II të Kushtetutës”.

Për më tepër, sipas Bajramit, amandamentet e kontestuara nga Gjykata Kushtetuese janë edhe praktikë e kushtetutave më moderne të botës, të cilat komisioni i ka marrë si model gjatë proçesit të ndryshimeve kushtetuese.

“Interpretimi i Kushtetueses, ashtu siç është dhënë, është i paqartë dhe jo konkret. Dhe një interpretim i tillë, i ngushtë, paraqet ndërhyrje të kësaj gjykate në procesin kushtetutdhënës. Njëherësh, kjo mund të shihet edhe si ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit për miratimin dhe ndryshimin e Kushtetutës”, thuhet në deklaratën e Bajramit.

Kryetari i Komisionit kuvendor për ndryshimin e Kushtetutës sqaron më tej se, teksti i vlerësuar nga ana e gjykatës nuk është propozim i Komisionit për amandamentimin e Kushtetutës, por i liderëve të katër partive politike (PDK, LDK, AKR dhe AAK), i dorëzuar pasi komisioni ka dorëzuar draftin zyrtar të propozim-amendamenteve, i mbështetur nga 30 deputetë. 

Top Channel