Në shtator Kosova do të festojë jo largimin e ndërkombëtarëve, por suksesin e shtetit, përfundimin e mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, ndërsa  pas kësaj EULEX-it do t’i sigurohet baza ligjore për vazhdimin e mandatit.

Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë mbledhjes së Qeverisë, pas vendimit të 2 korrikut të Grupit Drejtues Ndërkombëtar.  
 
Gjatë fjalimit para kabinetit qeveritar, Thaçi ka thënë se komuniteti serb në veri të Mitrovicës duhet të integrohet dhe të gëzoje të gjitha të drejtat që parashihen me Kushtetutë.  
 
 “Për më tepër ritheksoj zotimin tonë për përfshirjen e komuniteteve në mënyrë të veçantë për serbët në veri që t’i gëzojnë të gjitha të drejtat e përcaktuara me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Në këtë aspekt ne jemi zotuar të gjejmë bazën për vazhdimin e EULEX-it deri në qershorin 2014”, tha Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës.
 
Kryeministri ashtu si në deklaratat nga Vjena nuk e saktësoi mënyrën se si do të përligjet prania e EULEX-it pas këtij realiteti të ri duke lënë shumë pikëpyetje mbi një cështje që në shtypin e ditës në Prishtinë është trajtuar gjerësisht.

Gazeta “Koha Ditore” ka shkruar këtë të mërkurë se “shtetet mbikqyrëse i ka vënë kusht Kosovës që ta integrojë misionin e EULEX në Kushtetutë”.  Në kryeartikullin e kësaj gazete citohet një zyrtar i lartë europian i cili ka thënë se pasi të mos ketë më një pako Ahtisari, duhet të ketë një kategori kushtetuese që shpjegon funksionimin e misionit.
 
Privatizmi i KEK-ut
 
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, gjatë së enjtes, ministri i zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj, do të jetë në interpelancë në lidhje me procesin e privatizimit të Shpërndarjes dhe të Furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës, i cili është ftuar me kërkesë të grupit kuvendor të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është deklaruar kundër procesit.
 
Në arsyetimin e paraqitur, ky subjekt politik shkruan se “i tërë procesi është shoqeruar me një mungesë të skajshme të transparencës, ku jo vetëm qytetarët e shoqëria civile, por madje as deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës e as sindikatat e punëtorëve të KEK-ut nuk kanë qenë dhe nuk janë të informuar me hollësitë e procesit dhe kontratratës(atave) të ofruara për negociim dhe nënshkrim”.
 
Pas mbledhjes së Qeverisë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, në lidhje me interpelancën ka thënë se ky është një proces që iu ka nënshtruar të gjitha rregullave në nivelin më të lartë, institucional por edhe ndërkombëtar.
              
“Është një proces i cili ka filluar me këtë mandat qeveritar, proces i cili iu ka nështruar të gjitha rregullave, normave dhe transparencës në nivelin më të lartë qoftë atij insitucional, qoftë atij ndërkombëtar. Dëshirojmë të theksojmë që ne jemi të orientuar për ekonomi të tregut, ekonomi e cila mundëson që investimet të hyjnë nga kapitali privat, i cili do të jetë ai që do të bartë zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Besim Beqaj, Ministër i Zhvillimit Ekonomik.
 
Qeveria e Kosovës ka aprovuar ditë më parë ofertën për blerje të Rrjetit dhe Shpërndarjes të KEK-ut, të konsorciumit turk Limak&Çalik, në vlerë prej 26 milionë e 300 mijë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA