
Kuvendi i Kosovës i ka dhënë dritën jeshile shfuqizimit të neneve, 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal, të cilat janë kundërshtuar nga mediat dhe shoqëria civile.
Me 59 vota ‘pro’, asnjë ‘kundër’ dhe vetëm 2 ‘abstenime’ është miratuar në shqyrtim të parë projekt-ligji i Qeverisë së Kosovës, për shfuqizimin e tri neneve, të miratuara javë më parë bashkë me Kodin Penal, e që gjatë seancës është prezantuar nga ministri Beqaj.
Sidoqoftë, ky është vetëm miratimi në shqyrtim të parë, që do të thotë jo përfundimtar, dhe deri atëherë, gjatë procesit mund të paraqiten amandamente të ndryshme nga ana e deputetëve.
Menjëherë pas këtij miratimi, Asosacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës nëpërmjet një komunikate të shkurtër për media ka “mirëpritur miratimin në parim të projekt-ligjit për heqjen e neneve 37, 38 dhe 39 nga Kodi Penal”.
“AGPK u bënë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të vazhdojnë të miratojnë edhe në shqyrtim të dytë këtë projektligj, pa amandamente të cilat do të mund të paraqitnin masa ndëshkuese ndaj mediave”, thuhet në deklaratë.
Top Channel