
Vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, për dhënien fund mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës prej muajit shtator, i heq misionit të Bashkimit Europian, EULEX-it, bazën ligjore për të ushtruar fuqitë ekzekutive që gëzon. Sipas Bashkimit Europian, zgjidhja po kërkohet brenda legjislacionit shtëpiak, pra në Kushtetutën e Kosovës.
“Përmirësimi i shtetit të së drejtës mbetet një përparësi për Kosovën, e kjo është arësyeja pse EULEX-i është aty dhe pse do të vijojë të ushtrojë funksionin në përputhje me mandatin e tij, i cili mbështetet nga të 27 vendet anëtare, dhe në një bazë të përshtatshme e të brendshme ligjore. Për momentin po punohet për këtë dhe ajo që mund të them është se baza ligjore do të jetë në përputhje dhe e mbështetur nga Kushtetuta e Kosovës”, deklaroi Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Catherine Ashton.
Megjithëse misioni i BE-së në Kosovë për rendin ligjor mbështetet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, përfshirja e EULEX-it në Kushtetutën e Kosovës bie ndesh me faktin që pesë vende anëtare të Unionit nuk e njohin pavarësinë e vendit, nga Kushtetuta e të cilit pas shtatorit pritet të burojë baza ligjore e këtij misioni europian.
Top Channel