Rikthehen tensionet ruso-japoneze

03/07/2012 15:30

Autoritetet japoneze reaguan ashpërsisht nga një vizitë e kryeministrit të Rusisë, Dmitry Medvedev, në ishujt e Kurile.

Ishujt e ndodhur në skajin më lindor të Rusisë janë nën sovranitetin e Moskës që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pasi forcat sovjetike i pushtuan ato në momentin e kapitullimit të Japonisë, pa një marrëveshje formale midis dy shteteve.

Tokio zyrtare proteston ndaj zotërimit “ilegal” rus të katër ishujve, pjesë e një arkipelagu, pjesa tjetër e së cilës i përket Japonisë.

Vizita e parë e Medvedev në Kurile si president në vitin 2010, provokoi një reagim të fuqishëm nga ana e Japonisë, që e konsideroi vizitën si “një gabim i pafalshëm”.

Si rrjedhojë, Moska shpalli vendimin e saj për të përforcuar mbrojtjen ushtarake të ishujve, pjesa më e afërt e të cilëve ndodhet më pak se 25 kilometra nga Japonia.

Në vizitën e tij në ishujt me 20 mijë banorë, Medvedev u shoqërua edhe nga i dërguari qeveritar për lindjen e largët, Viktor Ishaev dhe nga ministri i Zhvillimit Rajonal, Oleg Govorun.

Në deklaratën e Moskës zyrtare, vizita e kryeministrit u përshkrua si një “vizitë rutinë”, në një pjesë të vendit, për të shqyrtuar mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm industrial dhe social të ishujve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA