Në sajë të operacionit të koduar “ Zarfi”, Policia e Elbasanit ka vënë në pranga, pedagogun e matematikës në Universitetin e Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”, 61-vjeçarin, Pëllumb Kllogjeri.
Sipas policisë, Kllogjeri është arrestuar në flagrancë, duke u marrë para studentëve në këmbim të notës kaluese në lëndën e matematikës që ai jepte pranë këtij universiteti prej disa vitesh.
Shuma që Kllogjeri kërkonte në këmbim të notës, ishte nga 10 mijë lekë të reja deri në 100 Euro. Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar një sasi parash prej 70 mijë lekësh të reja, të ndara në zarfe me nga 10 mijë lekë në secilin dhe në një tjetër 100 Euro.
Valbona Begu, Zëdhenëse e Policisë së Elbasanit tha se pedagogu i Matematikës hetohej prej disa muajsh nga policia, por si pasojë e mungesës së provave materiale, nuk mund të bëhej arrestimi i tij.
Pëllumb Kllogjeri akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që kryejnë funksione publike”.
Burimet njoftojnë se po vijon operacioni edhe për persona të tjerë të stafit akademik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, të cilët u kërkojnë studentëve para, në këmbim të notave kaluese.
Top Channel