Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad citohet të ketë thënë se ndjen 100% keqardhje për rrezimin e avionit turk pas shkeljes së hapësires ajrore siriane.
Në një intervistë dhënë gazetës turke “Cumhuriyet”, Presidenti Sirian këmbëngul se avioni po fluturonte ne nje korridor ajror të përdorur tre herë kohët e fundit nga avionet izraelite.
Për dy pilotet e tij, nuk dihet asgjë. Incidenti ka ashpërsuar tensionet mes dy vendeve, por Assad thotë se nuk e dëshiron konfliktin me Turqine. “Do të isha shumë i lumtur nëse avioni i rrëzuar do të kishte qenë izraelit”, ka thënë Assad.
”Vetëm pas goditjes e kuptuam se bëhej fjalë për një avion turk. Pas shkatërrimit të “F4 phantom”, duke denoncuar një akt armiqësor, Ankaraja nisi shtimin e pranisë ushtarake në kufi me Sirinë, edhe pse e përjashton mundësinë e një përplasjeje të armatosur nëse nuk do të ketë “provokime” të reja.
Marrëdheniet mes dy ish-aleatëve janë përkeqësuar ndjeshëm që nga fillimi i shtypjes së përgjakshme të protestave anti-qeveritare. Më shumë se një herë, kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan ka denoncuar represionin e orkestruar nga forcat e regjimit sirian dhe Turqia i ka hapur dyert refugjateve që i largohen dhunës.
Në mbarë vendin, luftimet vazhdojnë duke i dhënë situatës gjithmonë e më shume trajtat e nje lufte civile të ushqyer edhe nga urrejtja sektare.
Të hënën, helikopterë sirianë bombarduan një nga periferite e Damaskut dhe avionet luftarake të Turqisë po patrullojnë kufirin verior, teksa Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se furnizimi me armë si i forcave qeveritare ashtu dhe ai i rebeleve, po e thellon konfliktin 16 mujor.
Top Channel