Finlanda vendosi në dyshim zbatimin e masave antikrizë të rënë dakord në një samit të BE-së gjatë javës së shkuar, duke hedhur poshtë pjesërisht traktatin.
Në një lëvizje të papritur, qeveria e Helsinkit lajmëroi se nuk ishte dakord me mënyrën se si ishte vendosur të përdorej fondi i shpëtimit, duke argumentuar se bërja më fleksibël e këtyre fondeve krijonte rrezik për abuzime dhe qëndrueshmërinë brenda Eurozonës e BE-së.
Nën presion nga një kolaps financiar italian apo spanjoll, liderat e Eurozonës ranë dakord që të lehtësojnë procedurat e huadhënies javën e shkuar, por në mënyrë që traktati të hyjë në fuqi, duhet një ratifikim unanim i parlamenteve kombëtare.
Duket se me skepticizmin e Helsinkit është bashkuar edhe Qeveria Holandeze, që ruan rezerva për marrëveshjen e re dhe mundësinë e tregëtimit të borxhit në tregjet sekondare.
Aktualisht, traktati është vënë në dyshim edhe nga Gjykata e Lartë Gjermane, e cila po shqyrton nëse mekanizmi i Fondit Europian të Stabilitetit përputhet me normat kushtetuese të vendit.
Top Channel