Meksika voton për presidentin e ri

01/07/2012 09:15

Meksikanët i drejtohen kutive të votimeve ditën e dielë, për të zgjedhur presidentin që do t’i japë përgjigje problemeve ekonomike dhe do të vazhdojë luftën e përgjakshme ndaj karteleve të drogës.

Ish-guvernatori i Bankës Meksikane, Enrique Pena Nieto, shihet si kandidati kryesor, i cili po përpiqet të fitojë zgjedhjet edhe falë mbështetjes së partisë në maxhorancë, e cila ka bërë apel që të votohet kandidatura e tij.

Kundërshtarët kryesorë të Nietos janë socialisti Andres Manuel Lopez Obrador dhe konservatorja Josefina Vazquez Mota.

Në zgjedhjet e së dielës zgjidhen edhe anëtarët e rinj të kongresit dhe guvernatorët e shteteve.

Rreth 80 milionë meksikanë me të drejtë vote do të kenë mundësinë të zgjedhin se cili do të zëvendësojë presidentin Felipe Calderon, mandati i të cilit është në skadim e kushtetuta e pengon që të konkurrojë për një mandat të dytë.

Ndonëse papunësia mbetet e ulët në Meksikë, vetëm 4,5%, një e treta e 112 milionë banorëve të vendit jetojnë nën kufirin e varfërisë ekstreme dhe rrjedhimisht, ekonomia ka dominuar premtimet dhe retorikën politike parazgjedhore.

Njëkohësisht, në fokus mbetet vazhdimi i luftës 6-vjeçare ndaj karteleve të fuqishme të drogës, luftë që deri më sot i ka kushtuar jetën 60 mijë meksikanëve dhe ka shkaktuar paqëndrueshmëri të theksuar në vendin e Amerikës së Veriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA