Dy grabitës, që të dy shqiptarë, janë përleshur me policinë në lagjen Kifisia të kryeqytetit grek, Athinë.
Burime policore thanë se personat e armatosur hynë në banesën e ish-trajnerit të ekipit grek të PAOK, Jorgo Dhoni dhe nën kërcënimin e armëve grabitën banesën e mbajtën peng për disa caste fëmijët e vjehrrën e tij, ndërsa merrnin një cante me para dhe bizhuteri të familjes.
Pak metra me larg, roja i banesës se ish-ministrit grek të Financave, Jorgos Papakonstandinu, i lajmëruar prej bashkëshortes së ish-trajnerit, mundi të njoftojë kolegët e tij të ndërhyrjes së shpejtë, të cilët mbërritën në zonë brenda pak minutash.
Grabitësit qëlluan me breshëri Kallashnikovi, duke plagosur në këmbë njërin prej policëve. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u lënduan edhe vetë pengmarrësit.
Forcat e shumta policore që mbajtën të rrethuar zonën, arritën t’i ndalonin të dy keqbërësit, emrat e të cilëve për momentin nuk bëhen publike.
Grabitësit u dërguan në spital nën masa të rrepta sigurie dhe së shpejti, pritet të dalin para gjykatës për masën e dënimit.
Policia deklaroi se në cilësinë e provës materiale u bllokuan edhe dy kallashnikovët e perdorur prej tyre si dhe një cantë me sendet e grabitura prej familjes Dhoni.
Kriminaliteti është rritur ndjeshëm kohët e fundit në Greqi, duke u kthyer edhe në mollë sherri në politikën vendase, ku ekstremistët e djathtë gjejnë hapësirë në rastet e krimeve të kryera prej të huajve, për të kërkuar largimin e të gjithë emigrantëve.
Top Channel