Gurë të mëdhenj, shishe xhami dhe shumë sende të tjera të forta u hodhën mëngjesin e së enjtes në drejtim të pjestarërve të Policisë së Kosovës nga grupe serbësh të cilët kishin hyrë në Kosovë për të marrë pjesë në festimet e Vidovdanit.
Ata erdhën nga veriu dhe pasi shkaktuan rrëmujë në Urën e Ibrit në Mitrtovicë u ndaluan nga Policia e Kosovës në Vushtri. pas identifikimit, policia i ktheu në Serbi nëpërmjet Merdarës dy autobusët me serbë, dhe kjo duket se i revoltoi këta të fundit të cilët me të kaluar pikën kufitare në Merdarë, filluan sulmin kundër policisë kosovarë.
Për pasojë, 40 pjesëtarë të Policisë së Kosovës një pjesë e tyre policë kufitarë, morën lëndime trupore, 32 prej të cilëve kërkuan ndihmën mjekësore.
Për disa orë rresht njësia e forenzikës ka punuar në hetimin e ngjarjes duke mbledhur gjithë materialin e nevojshëm. Ndërkaq kufiri Kosovë – Serbi për gjatë gjithë ditës qëndroi i mbyllur.
Ndonëse incdienti ka ndodhur në Merdarë, në fakt serbët kishin hyrë nga pikat kufitare në veri të Kosovës dhe pas identifikimit diku në rajonin Vushtrise policia i ktheu.
Një përshkrim me të detajuar e dha ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi derisa po raportonte për situatën në Kuvend ku dhe pati debate mbi natyrën e incidentit.
“Pas deportimit në pjesën, si e kanë kaluar kufirin, ata të revoltuar e kanë bërë një inskenim dhe ua kanë marrë çelësat vozitësve të tyre dhe kanë dalë jashtë dhe kanë hedhur në drejtim të policisë kufitare të Kosovës gurë dhe mjete tjera të forta me ç’rast kanë lënduar disa prej tyre. Policët e kanë kryer detyrën e vet dhe natyrisht ata kanë qenë të vet-përmbajtur që të mos përdorin armë zjarri”, tha Rexhepi.
“Janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por ato kanë qenë në anën e Serbisë”, theksoi Rexhepi, duke përjashtuar mundësinë e plagosjes së policëve edhe me armë zjarri.
Nga ana tjetër Qendra Klinike Universitare njoftoi për natyrën e lëndimeve të pjesëtarëve të policisë së kosovës.
Në Merdarë edhe pse gjatë ditës nuk pati më incidente. në gjendje gatishmërie qëndruan edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës.
Kufiri Kosovë-Serbi u zhbllokua tërësisht pasdite, atëherë kur edhe përfunduan festimet e Vidovdanit në Gazimestan.
Top Channel