Majko në Top Story: Aleancë edhe me FRD e AK

28/06/2012 00:00

Zgjedhja e Presidentit të Republikës erdhi si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të 3 personave. Kjo ishte deklarata e Ambasadorit Amerikan, Alexander Arvizu duke nënkuptuar se zgjedhja e presidentit “u gatua” nga Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama.

Partia socialiste nuk doli me emër kandidati për president gjatë gjithë procesit. Ky qendrim i saj mori edhe kritika. Disa nisën ta quajnë opozitën apatike, anemike dhe të paaftë për t’iu kundërvënë mazhorancës.

Dy herë kryeministër, një ndër zërat me autoritarë në Partinë Socialiste, pjesë e grupit të të paprekshmëve brenda PS-së, Pandeli Majko, prej kohësh në hije, larg mediave, vendos të flasë në Top Story me gazetarin Sokol Balla.

Fillimisht, zoti Majko sqaroi mungesën e daljes së tij në publik, mungesë kjo disamujore. Majko tha se mungesa e tij lidhej me angazhimet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në garë për një sërë postesh të rëndësishme. Pas humbjes së garës në OKB, Majko sqaroi se janë kushte jashtë personit, jashtë kandidatit, që lidhen se sa të fuqishëm dhe me ndikim janë disa vende, ato që vendosin kandidatin fitues në të tilla poste.

Duke folur për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Majko analizoi: Berisha bëri presion me zgjedhjen e presidentit që në fillim kur tha se do zgjidhte një figurë të lartë të PD-së, më pas tha që do zgjedhi një njeri nga diplomacia dhe jurisprudenca. Opozita nuk është naive që të mos mendojë që një pjesë e shmangies së dy kandidatëve të parë lidhet me presionet nga vetë mazhoranca e jo me mosdhënien e konsensusit nga opozita. Procesi nuk ishte i mirëfilltë, nuk rrodhi një kandidaturë solide. Berisha e dinte shumë mirë që duhej një president që të kishte “ok” nga opozita për të ecur me integrimin. Europa duhet ta pranojë Shqipërinë kështu sic është, që rrotullohet rreth një individi ku të gjitha institucionet i kemi me vulën PD-së.

Por pse socialistët vendosën të ishin pasivë, duke mos parashtruar asnjë kandidat?: “Procesi nisi në mënyrë të njëanëshme. Berisha u përpoq të bëjë më shumë presion ndaj partnerëve në koalicion se sa ndaj PS-së. Zaganjori u tërhoq pas përfundimit të raundit të tretë duke thënë se nuk kishte konsensusin e opozitës. Pse s’e dha dorëheqjen pasi zbriti shkallët e PS kur e mori vesh që nuk kishte mbështetjen e opozitës? Mendoj që tërheqja ishte pasojë e përcarjeve brenda mazhorancës. PS nuk propozoi kandidat përshkak se përballë kishte një mazhorancë që nuk pranonte kandidat nga opozita. Sot sistemi është në duart e PD-së dhe ata deklarojnë se ka dështuar. Ka patur konsulta brenda PS për qendrimin e mbajtur. Berisha kishte mundësinë të cudiste Perëndimin dhe Europën, por nuk e bëri këtë”, tha deputeti Majko duke shtuar më pas se edhe emri i tij është hedhur në tryezë nga kreu i PS-së, Edi Rama.

Duke folur për vetëofrimin e Fatos Nanos për president, Pandeli Majko tha se ish-kreu i PS-së i dhuroi një fushatë pozitive skenës politike në vend. Majko u shpreh i sigurtë se nëse Nano do të ishte kandidat në raundin e katërt, do të kishte patur rrjedhje votash nga ana e mazhorancës.

Lidhur me takimin e famshëm të Gjirit të Lalzit, Meta-Rama zoti Majko tha se nuk e kishtë pritur mirë fillimisht, por se më vonë e kuptoi lëvizjen e Ramës si një përpjekje për të sfiduar një skeme në zgjedhjen e presidentit.

“Në fillim u mërzita. Është e shpjegueshme. E imagjinoja që do të kishte jë takim mes Ramës dhe Metës, por jo një vajtje të tij në shtëpinë e Metës dhe e mora vesh nga media. A iku Rama tek Meta për të ulur kokën? Për falje? Për të harruar 4 të vrarët e 21 Janarit? Arsyeja bazë ishte se Rama donte të sfidonte një skemë për zgjedhjen e presidentit, donte të realizonte një presion të brendshëm brenda mazhorancës, por në fund mendoj se plani i tij ishte ai që ai vetë shkruajti në editorial; donte rrëzimin e Berishës”, tha Majko.

Deputeti socialist u shpreh skeptik mbi një koalicion PS-LSI duke deklaruar se në rrethanat aktuale një koalicion i tillë është i pamundur. Ndryshimin e ministrave të LSI-së në qeveri, zoti Majko e interpreton si një rinovim të marrëveshjes së koalicionit të Metës me Berishën.

Lidhur me raportet personale me Metën, Pandeli Majko tha se i ka shkëputur ato që në kohën kur kreu i LSI-së vendosi të hyjë në koalicion me Berishën.

Sa e sigurtë dhe a është gati PS të vijë në pushtet në 2013? Para zgjedhjeve, Majko propozon një rifreskim të spektrit opozitar, të fazës së bashkëpunimit. Sipas tij, PS nuk duhet të ndalet vetëm në bashkëpunimin me forcat e majta. Majko u shpreh po një koalicioni parazgjedhor me Frymën e Re Demokratike, që pritet të udhëhiqet nga Presidenti Topi, por edhe me Aleancën Kuq e Zi.

“Opozita ka përballë një shtet që ka vulën  e një partie ndaj rifresikimi i spektrit opozitar me parti të tjera që unë e shikoj krejtësisht normal është i nevojshëm. Ne duhet të jemi pragmatistë për t’u ulur me njerëzit që duan ndryshimet. Dallimet e majtë e djathtë në Europë janë ngushtuar”, tha Majko.

Për fërkimet dhe përplasjet brenda Partisë Socialiste, të fundit ishin ato të forumit rinor të saj, Pandeli Majko u shpreh se kjo është fryma e socialistëve dhe se nuk ka asgjë jonormale pasi në gjithë historinë, mekanizmi i PS-së funksionin me fërkimet dhe përplasjet mes anëtarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA