I akuzuari për krime kundër njerëzimit në spastrimet etnike në Bosnje, Radovan Karadzic, dështoi në një tentativë ligjore për të fituar pafajsinë për të gjithë akuzat që rëndojnë mbi të.

Megjithatë, 67-vjeçari arriti një sukses të pjesshëm, pasi një prej dy akuzave për genocid u tërhoq për mungesë provash.

Çështja është duke u gjykuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Karadzic, së bashku me Mlladiç, gjithashtu në gjykim, konsiderohet si krahu i djathtë i Miloseviç në spastrimet etnike dhe masakrat e tmerrshme të viteve 1990 në Bosnje, të cilat i kushtuan jetën më shumë se 200 mijë personave.

Në total, ndaj Karadzic rëndojnë 11 akuza dhe ai rrezikon dëninim me burgim të përjetshëm.

Megjithatë, gjykata vendosi që të mos vazhdojë ndjekjen e saj për masakrën e Srbrenicës, ku dyshohet se ish-presidenti i Republikës Serbska brenda territorit boshnjak ishte një prej arkitektëve kryesorë të saj.

Pranë qytetit me të njëjtin emër, mbi 7 mijë meshkuj boshnjakë u ekzekutuan në një ditë të vetme.

Srbrenica përbën episodin më të rëndë të një krimi ndaj njerëzimit në Europë, që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Në seancën e së enjtes, avokatët mbrojtës të Karadziç paraqitën prova në bazë të së cilave pretendohej se Karadziç nuk ishte në dijeni për atë që po ndodhte në Srbrenicë.

Gjykata rrëzoi këto argumenta, megjithatë pranoi se ajo vetë nuk kishte prova për të treguar qartësisht përfshirjen e Karadziç, prandaj do të pushojë ndjekjen për masakrën e Srbrenicës, për t’u përqendruar tek akuzat e tjera ndaj të konsideruarit si krahu i djathtë i ish-liderit famëkeq jugosllav, Slobodan Miloseviç.

Karadziç u arrestua në një fshat pranë Beogradit në vitin 2008. 67-vjeçari jetonte në atë lokalitet nën një emër të rremë, me të cilin kishte udhëtuar edhe në disa vende të tjera europiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA