Komisioni Kuvendor për Punë të Jashtme do t’i dërgoje letër komisioneve
homologe të 5 shteteve të BE-së, që qeveritë e tyre të pranojnë kërkesën
për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
 

Një vendim i tillë është marrë gjatë së mërkurës, dhe sipas kryetarit të këtij komisioni, Albin Kurti, në të do të shkruhej për shtetin e Kosovës, dhe te arsyetohej Pavaresia e Kosoves.
 
“Disa prej këtyre shteteve janë të keqinformuara për Kosovën nga Serbia dhe miqtë e saj, por në anën tjetër, gjithashtu e dim se ato kanë edhe probleme të brendshme. Por, sidoqoftë edhe nëse ato shtete gjejnë analogji midis Kosovës dhe problemeve të tyre të brendshme mbase ne do të mund t’iu sugjeronimin që ato të mos e krahasojnë veten me Serbinë e regjimit të Milloshevicit dhe Serbinë në përgjithësi”, tha Kurti.
 
Sipas ish ministrit të jashtëm të Kosovës, tashmë deputet i LDK-së Skënder Hyseni, Kosova duhet të bëjë presion në qendrat e vendimmarrjes, si në Washington DC, Bruksel, Londër e Paris.
 
“Mirëpo gjithnjë duke insistuar ne në nevojën e një politike të unifikuar të Bashkimit Europian karshi Kosovës, përkatësisht duke insistuar që BE të braktisë politikën e neutralitetit ndaj statusit, si pasojë e mosnjohjes të Kosovës nga këto 5 shtete”, tha Hyseni.
 
Anëtarët tjerë të komisionit për politikë të jashtme e panë të arsyeshme që përmes Kuvendit të Kosovës të punohet më tepër në çështjen e njohjeve.
 
“Komisionet nuk bëjnë njohjen por kanë ndikimit në qeveritë e tyre. Njohja është çështje e qeverive dhe komisionet ndikojnë tek ato”, tha Hydajet Hyseni, deputet i PDK-së.
 
“Angazhimet në nivel parlamentar na mundësojnë që përmes letrave, dhe përmes vizitave ndërparlamentare ne të punojmë në drejtim të përmirësimit të përgjithshëm të percepcionit për vendin tonë”, tha Donika Kadaj Bujupi Deputete e AAK-së.
 
Përveç kërkesës për pranim të njohjes së Kosovës, përmes letrës synohet edhe vënja e kontakteve të Kuvendit të Kosovës me komisionet homologe të këtyre shteteve.
 
Ditë më parë një delegacion i parlamentarëve të Sllovakisë, që ende nuk e njeh shtetin e Kosovës, qëndruan në Kuvend për një vizitë studimore, ku gjatë takimit kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi i bëri thirrje publike që edhe ky shtet i BE-së ta pranojë Kosovën.
 

Top Channel