Kanë përfunduar seancat gjyqësore në gjykimin e pjesshëm ndaj ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, Lah Brahimaj dhe Idriz Balaj. Tashmë i mbetet Trupit Gjykues të Tribunalit në Hagë që të shpallë vendimin në lidhje me këtë proces, dhe sipas të gjitha gjasave kjo pritet të ndodhë në shtator të këtij viti.
Ndërsa mbrojtja ka kërkuar nga Trupi Gjykues që të mos i marrë parasysh dëshmitë për të cilat kanë konstatuar se janë të mbushura me gënjeshtra, të bëra për përfitime personale,
Prokuroria ka insistuar të kundërtën.
Gjatë së mërkurës, në ditën e tretë të seancës përmbyllëse, avokati i të akuzuarit të tretë Lahi Brahimajt, Richard Harbi ka paraqitur fjalën e tij përfundimtare, ku i ka kërkuar Trupit Gjykues që të mos jetë viktimë e dëshmive të Prokurorisë.
Gjatë dy ditëve të mëhershme mbrojtja e Ramush Haradinajt dhe Idriz Balajt paraqitur argumentet kundër pretencës së prokurorisë.
Ben Emerson, avokat i Haradinajt i pati kërkuar Gjykatës që të shikojnë me kujdes çdo shënim të Prokurorisë, sepse sipas tij, janë citime të gabuara të dëshmive, ndërsa e ka paraqitur klientin e tij si luftëtar të ndershëm gjatë luftës, dhe mbrojtës i minoriteteve, pas saj.
Top Channel