Masa tarifore prej 35 përqind për importuesit e cimentos në Kosovë nuk do të qëndrojë për  90 ditë ashtu sic kishte paralajmëruar ministrja e tregtisë Mimoza Kusari Lila. Mësohet se brenda javës kjo masë do të ndryshojë.

Burimet qeveritare thonë se ministria e tregtisë do të nxjerrë një vendim të ri me një taksë doganore më të butë për importuesit e cimentos. Kjo sipas burimeve bëhet në mënyrë që të mos ndalohet importi i këtij produkti njëkohësisht të mos dëmtohet fabrika e vetme e prodhimit të cimentos Sharr cem në Kosovë.
 
Nga ana tjetër, zyrtarja për media e Doganave të Kosovës Fllanza Mezini shpalosi vendimin përfundimtar të komisionit për kundërvajtje doganore lidhur me Sharr Cemin. Ajo nëpërmjet telefonit tha se komisioni e ka shpallur fajtor  këtë fabrikë për mos deklarimin e drejt të numrit tarifor për mallin e importuar gjatë javës së kaluar. Sipas kodit doganor dhe të akcizave me këtë veprim kompania ka kryer kundërvajtje doganore, për cka edhe është dënuar në vlerë financiare prej 10 mijë euro.
 
Zyrtarisht në ministrinë e tregtisë nuk dëshirojnë të komentojnë për këtë cështje duke thënë se kjo është në kompetencë të doganave. Zëdhënsja e kësaj ministrie Arta Istrefi se vendimi i radhës i ministrisë nuk do të jetë i shtyrë nga deklarimi i rremë  i mallit nga ana e sharr cemit por nga analizat e tregut të cilat ministria është duke i bërë prej dy javësh.
Ndërkohë që debati publik për palët e interesit në këtë problematikë  mbetet i hapur deri me datë gjashtë korrik.

Top Channel