Një ditë pas dorëheqjes së ministrit të Financave, Greqia emëroi kryefinancierin e ri të vendit, i cili do të jetë ekonomisti Yannis Stournaras.
I mbiquajtur “zoti Euro”, Stournaras ishte pjesë e skuadrës së financiarëve që negocioi përfshirjen e vendit në monedhën e përbashkët në vitin 2001.
Bankieri Vassilis Rapanos, i emëruar ministër i Financave në qeverinë e re të ndërtuar vetëm një javë më parë, paraqiti dorëheqjen e tij për arsye shëndetësore, pasi kaloi në fundjavë një ditë në spital për disa dhembje abdominale, të shkaktuara nga një diagnozë e panjohur.
”Kryeministri Antonis Samaras vendosi që të shpallë profesorin e ekonomisë në Universitetin e Athinës, Yannis Stournaras, si ministër të ri të Financave”, shkruhej në një deklaratë zyrtare të qeverisë.
Stournaras, së fundmi përmbushi një detyrë qeveritare, ndërsa shërbeu për një muaj në qeverinë e përkohshme të formuar pas dështimit të zgjedhjeve të para në maj, si ministër i Zhvillimit.
Pas plotësimit të menjëhershëm të vakuumit të krijuar nga largimi i Rapanos në samitin e Euros në Bruksel më 28-29 qershor, pritet të marrë pjesë ministri i ri, Stournaras.
Delegacioni grek në Bruksel do të udhëhiqet nga presidenti Papulias. Edhe kryeministri Samaras nuk do të marrë pjesë në samit pas operacionit që kreu në syrin e djathtë për probleme me retinën.
Emërimi i kryefinancierit të ri të vendit është pritur me një reagim miks në vend. ”Stournaras është një njeri serioz dhe i respektuar, që do të frymëzojë besim në tregjet financiare. Fati i tij i keq është që do të jetë pjesë e një qeverie me shumë figura të moshuara dhe konservatore, që mbajnë disa pozicione kyçe”, shkruante analisti politik i “BBC”-së, John Loulis.
Stournaras ishte kryekëshilltari ekonomik i ish-kryeministrit Costas Simitis, që negocioi përfshirjen e Greqisë në Eurozonë në fillim të viteve 2000.
Top Channel