
Më 28 dhe 29 qershor në Bruksel do të mbahet takimi i radhës i liderëve të Bashkimit Europian dhe Eurozonës për të diskutuar edhe njëherë tjetër rrugët e daljes nga kriza financiare.
Vendi më i prekur nga kjo krizë padyshim që mbetet Greqia, qeveria e sapoformuar e së cilës me kryeministër kreun e konservatorëve, Andonis Samaras do të përballet me sfida aspak të lehta. Në Bruksel, Athina pritet të kërkojë ndihmën e radhës në mënyrë që të sigurojë pagat në sektorin publik pas 20 korrikut.
Dy ditë më parë mjekët operuan me sukses kryeministrin, i cili të dielën la spitalin me këshillën që të qendrojë për pak javë, larg aktivitetit politik. Pikërisht për këtë, Samaras nuk do të mund të udhëtojë për në Bruksel për t’u takuar me liderët e tjerë europianë.
Vendin e tij në këtë takim ka vendosur ta marrë vetë presidenti grek, Karolos Papulias. Presidenti njoftoi pjesëmarrjen e tij në krye të delegacionit të përbërë nga Ministri i Financave në ikje, Giorgos Zanias, Ministri i ri i Financave, Vasilis Rapanos, Ministri i Zhvillimit Kostis Hatzidakis dhe zv/ministri i Financave, Kristos Staikuras.
Top Channel