Në Maqedoni askush nuk është dënuar lidhur me djegien e flamurit shqiptar dhe thirrjet raciste antishqiptare, raportoi ditën e dielë “Telegrafi”, duke iu referuar Agjensisë së Lajmeve, “INA”.

Gjatë 12 muajve të fundit, janë regjistruar disa incidente publike ku janë shfaqur thirrje raciste antishqiptare, ndërsa në dy raste është djegur edhe flamuri ynë kombëtar.

Në rastin e pare, djegia e flamurit shqiptar ndodhi në një ndeshje sportive në Shkup, midis klubeve të basketbollit Liria dhe Rabotnicki, ku tifozët maqedonas pas grisjes së flamurit, i vunë flakën.

Asnjë fajtor nuk është gjetur për këtë ngjarje, ndonëse ashtu si në rastin e korreve raciste në një ndeshje futbolli mes kombëtareve të dy shteteve në Prilep, ngjarja është filmuar dhe transmetuar në ekranin e “Top-Channel”.

Në rastin e dytë, ishte një organizate fetare, e cila përmes një video, transmetonte gjithashtu imazhe në të cilat flamuri shqiptar ndizej në flakë.

Në të dyja rastet nuk janë zhvilluar hetime dhe nuk ka pasur asnjë përgjegjës për këto vepra që nxisin urrejtje dhe fyerje ndëretnike.

Autoritetet në Maqedoni nuk kanë kërkuar përgjegjësi as ndaj ndonjë drejtuesi të tifozëve të klubeve maqedonase, të cilët në ndeshjet sportive nga stadiumet bëjnë thirrje raciste, duke i uruar “dhomat e gazit” të gjithë shqiptarëve.

Mynir Ismaili nga fshati Shum i Strugës është qytetari i vetëm i dënuar me burg në Maqedoni, për shkak të djegies së flamurit maqedonas në janar të këtij viti.

Ndaj tij gjykata vendosi masën e 5 muajve heqje lirie. i dënuari u shpreh në gjykatë se kreu veprimin e tij për t’iu kundërpërgjigjur veprimeve të maqedonasve me të njëjtën monedhë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA