
Adrijana Hodzic gjatë kësaj jave ka marrë përsipër një përgjegjësi të
madhe. Ajo është emëruar nga Qeveria e Kosovës si udhëheqëse e Zyrës
Administrative në veri të Mitrovicës, e cila shumë shpejt pritet të
filloj punën.
37-vjeçarja, e cila është banore e një lagjeje në veri të Mitrovicës, është e martuar dhe ka dy fëmijë. Ajo ka përfunduar studimet në Fizioterapi dhe tani ka mbaruar të gjitha provimet e magjistraturës.
Para se të marrë këtë detyrë ajo ka punuar edhe në Ekipin Përgatitor për themelimin e komunës së Mitrovicës veriore, dhe në shumë organizata të ndryshme ndërkombëtare që për qëllim kryesor kanë pasur punën humanitare.
Hodzic e cila vjen nga radhët e komunitetit boshnjak, është njohëse e mirë e gjuhës shqipe, angleze, dhe turke, ndërsa preferon që të flasë në gjuhën amtare dhe ne gjuhen qe ia kerkon detyra.
Në kohën kur në veri të Kosovës ka mungesë të lirisë së lëvizjes dhe mungesë të sigurisë, ajo rrëfen për Top Channel se i ka hyrë kësaj sfide që e quan të madhe, në kërkim të një jete më të mirë për të gjithë qytetarët e kësaj pjese.
“Unë besoj në këtë proces. Unë besoj që qytetarët e veriut meritojnë të jetojnë më mirë. I meritojnë institucionet të cilat do t’i respektojnë ata vetë. Siç e thashë unë jetoj në veri të Mitrovicës dhe unë kërkoj një të ardhme shumë më të mirë për fëmijët e mi dhe për fëmijët e njerëzve që i njoh në veri, për të gjithë që jetojnë në veri”, thotë Hodzic.
Sipas saj kjo mund të arrihet përmes krijimit të besimit tek qytetarët e veriut.
“Ne do të mundohemi që t’i bindim qytetarët e veriut që neve mund të na besojnë dhe do të mundohemi që me qytetarët e veriut t’i identifikojmë problemet e përgjithshme që ata i kanë. Do të mundohemi t’i bëjmë zgjedhjet bashkërisht me qytetarët e veriut dhe që të gjithë të jetojmë më mirë. Ne e kemi ende një listë të projekteve tjera të cilat janë cekur nga qytetarët e veriut para disa muajsh dhe do të vazhdojmë pikërisht aty”, thotë Hodzic.
Objekti ku do të vendoset Zyra Administrative, siç duket nga jashtë, pothuajse është gati për të filluar punën.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Pushtetit Lokal më shumë se një mijë persona patën aplikuar për 55 vende pune, prej tyre më shumë se 250 vijnë nga radhët e komunitetit serb në nga veriu i Kosovës, që është parë si një shifër inkurajuese. Po sipas zyrtarëve qeveritarë gjatë muajit korrik pritet të filloj ofrimi i shërbimeve për qytetarët e kësaj pjese të Kosovës.
Zyra Administrative do të ketë karakter të përkohshëm deri në momentin kur në veri do të organizohen zgjedhjet nga institucionet e Kosovës përmes së cilës qytetarët e asaj pjese do t’i zgjedhin përfaqësuesit legjitim.
E deri atëherë, Adrijana Hodzic është e bindur se Zyra që do ta drejtojë, e cila ka karakter teknik, do të ketë sukses dhe se është e bindur për këtë.
Top Channel