Kryetari i Partisë Demokratike Shqitpare, Menduh Thaci, tha se Qeveria e Maqedonisë po numëron ditët e fundit të mbijetesës pasi ka humbur kuptimin e drejtimit të shtetit.
“Jemi shumë të shqetësuar për bllokimin e procesit integruese, kjo jep shenjën alarmante për mundësinë për destabilizimin e brendshëm të Maqedonisë. Qasja ime dhe e PDSH-së është tërësisht konstruktive në këtë drejtim. Ne do të mbështesim gjithkënd që do ta bëjë kompromisin me emrin dhe do ta inkuadrojë Maqedoninë në NATO”, Menduh Thaci, kryetar i PDSH–së.
Thaci këto komente i bëri pas një takimi që zhvilloi në Tetovë me Ambasadorin e ri kosovar në Shkup z. Ylber Hysa. Dy bashkëbiseduesit pas takimit dolën me konstatimin e përbashkët se prezenca e Kosovës në Maqedoni është prezencë stabiliteti dhe forcon raportet mes dy vendve.
“Kosova dhe Maqedonia janë vende që ndajnë mes veti jo vetëm gjeografinë dhe kulturën por edhe të ardhmen të dyjat synojnë që të jemi pjesë e procesit euro-atlantik dhe në këtë aspekt e gjithë kjo frymë na obligon edhe për sjellje të brendëshme demokratike por edhe për të pasur një frymë konstruktive bashkëpunimi. Unë do të jem këtu i hapur ndaj të gjithëve dhe ky është sot mesazhi im”, Ylber Hysa, ambasador i Kosovës në Maqedoni.
Në frymën e thellimit të bashkëpunimit mes Shkupit dhe Prishtinës, diplomati kosovar paralajmëroi se gajtë këtij dhe muajit të ardhshëm do të ketë disa takime mes zyrtarëve të lartë të të dyja vendeve.
Top Channel