Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësise, Hajredin Kuçi ka dhënë
dorëheqjen nga të gjitha funksionet qeveritare, në shenje proteste pas
kalimit të Ligjit të Medias, bashkë me nenet për dënimin e gazetarëve.
Kuçi ka mbajtur në këtë mënyrë edhe premtimin e dhënë që në rast të kalimit të ligjit ai do të largohej nga qeveria, duke u rreshtuar përkrah gazetarëve në protestën e tyre.
“Ju e dini që para një kohe e kam dhënë një premtim, – ka deklaruar Kuçi. – dhe në këtë moment i kam ofruar dorëheqjen kryeministrit. Nuk jam i shtyrë nga askush por mendoj se në këtë vend duhet të punohet për lirinë e medias dhe shprehjes. Nuk dua të identifikohem si personi që e cënon lirinë. Po e paguaj çmimin e vendimit të Kuvendit të cilin megjithatë e respektoj”, ka deklaruar ai.
I befasuar nga kalimi i ligjit, së bashku me dy nenet 37 dhe 38, që kundërshtohen fort nga shoqata e gazetarëve kosovarë është shprehur edhe kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri tha se ndjehej i turpëruar nga votimi në Kuvend i Kodit të ri Penal, që mori edhe disa vota nga deputetët e partisë që ai udhëheq.
“Si kryeministër i vendit, asnjëherë nuk pajtohem me ligje dhe kode që krijojnë frikë tek mediat. Gazetarët kanë artikuluar qartë shqetësimet e tyre dhe Presidentja e Qeveria kanë dhënë mendimet e tyre. Për këtë arsye do të riprocedoj Kodin Penal pa nenet në fjalë”, deklaroi kryeministri Thaçi.
Ndërsa sa i takon dorëheqjes nga të gjitha postet qeveritare të Kuçit, kryeministri Thaçi tha se ai me veprimin e tij ka dhënë një shembull për të gjithë dhe ka vendosur një standard të ri në politikën kosovare.
Top Channel