Pas pritjes nga kryeministri Hashim Thaçi edhe aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” i kishin rezervuar një “surprizë” ndërmjetësuesit të BE-së në dialogun Prishtinë-Beograd, Robert Kuper. Teksa ai ndodhej në takim me zyrtarë të Kosovës, dhjetra aktivistë të VV kishin rrethuar godinën e qeverisë dhe me të dale Kuper në drejtim të tij u hodhën dhjetra domate.

Duket se pjesë e takimit ishte edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar dhe zyrtarë të tjerë të cilët preferuan të ktheheshin brenda në objekt. Ndërsa Kuper vazhdoi rrugën e tij derisa në vendin e ngjarjes mbërriti policia dhe aktivistët e Vetëvendosjes u shpërndanë.

Në fakt Lëvizja Vetëvendosje bllokoi edhe hyrjen e prapme të qeverisë së Kosovës. Dhjetëra aktivistë me në krye liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe deputete të tjerë të këtij subjekti politik, hynë në oborrin e qeverisë në momentet që po zhvillohej takimi i kryeministrit Hashim Thaçi me ndërmjetesin europian Robert Kuper.

Aktivistët e Vetëvendosje depërtuan pa ndonjë problem në oborrin qeveritar falë pavemendshmërisë së policisë së Kosovës të cilët duket se ishin të habitur pasi pak minuta më përpara nga kjo derë hyri një delegacion i huaj. Për të parandaluar hyrjen e mundshme të protestuesve në qeveri, policia fillimisht vendosi një kordon para tyre.

Ndërkaq ekipit të Top Channel iu kërkua që të largohet nga vendi i ngjarjes, pasi sipas policisë prezenca ishte e jashtëligjshme.

E teksa takimi vazhdonte, shefi i grupit parlamentar të “Vetëvendosjes” Glauk Konjufta tha se janë mbledhur këtu për të kundërshtuar vendosjen e një pjese të territorit në tavolinën e negociatave me Serbinë.
Domatet e mbetura aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje i hodhën në muret e qeverisë disa prej të cilave dëpërtuan edhe brenda, derisa dikujt iu kujtua që të mbyllë dyert.

E vetëm në fund të kësaj ngjarjeje më qeveria e Kosovës njoftoi zyrtarisht për vizitën e ndërmjetesit europian Robert Kuper në Prishtinë. Sipas një komunikate Kryeministri Thaçi theksoi se marrëveshjet e arritura duhet të implementohen edhe nga ana e Serbisë, pasi ato janë në dobi të qytetarëve të të dy shteteve dhe në dobi të forcimit të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

Po kështu qeveria njofton edhe për qëndrimin e Robert Kuperit i cili si zakonisht largohet pa asnjë fjalë.

“Ndërmjetësi i BE-së në bisedimet teknike mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Robert Kuper theksoi se marrëveshjet e nënshkruara nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë duhet të implementohen sa më shpejt, në mënyrë që të ecet përpara në proces”, thuhet në komunikatë.

Aksionin e Vetëvendosjes kryeministri Hashim Thaçi e ka dënuar fuqishëm duke e quajtur veprim të ulët, i bërë nga persona të papërgjegjshëm dhe i cili dëmton imazhin europian të Republikës së Kosovës.

Shpalosja e ambicieve politike duhet të bëhet në mënyrë institucionale dhe demokratike në Parlament, e jo përmes dhunës së shfaqur kundër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian, përfundon komunikata e qeverisë së Kosovës.

Nga ana tjetër, nëpërmjet një komunikate Vetëvendosje forcon qëndrimin e vet duke e justifikuar protestën  si një akt kundër qëndrimit paternalizues e shtrëngues të përfaqësuesit të BE-së, Robert Kuper e në të njëjtën kohë kundër qëndrimit servil e të padenjë të qeveritarëve të Kosovës, thuhet në komunkatën e Vetëvendosjes. .

Top Channel