Partia Socialiste e ish-ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiç dhe Partia Demokratike e Boris Tadiç janë shumë pranë formimit të qeverisë së re serbe.
Mediat serbe flasin për bisedime intensive mes socialistëve dhe demokratëve për arritjen e një marrëveshje. Gjithcka është gati, me emrat përkatës në çdo dikaster, por ajo ku të dyja partitë kanë ngecur është emri i kryeministrit të ri.
B92 në faqen e internetit shkruan se socialistët shprehin dyshime mbi kandidaturën e Tadiç kryeministër pasi do të mbeteshin nën hijen e tij gjatë gjithë mandatit qeverisës.
Në fakt, socialistët e Daçiç, përveç ofertës së partisë së Tadiç kanë edhe ofertën e Partisë Progresive Serbe. Radikalët shprehen të gatshëm të tolerojnë edhe vendin e kryeministrit për Daçiç e në këtë rast partia e ish-presidentit Tadiç do të qendronte në opozitë.
Dilemës me Tadiç apo me radikalët pritet t’i japë zgjidhje brenda pak ditësh vetë kreu i socialistëve, vendim që do t’i jepte fund periudhës disa ditore bisedimeve për qeverinë e re.
Top Channel