Parlamenti rifuti në rendin e ditës çështjen e shumë debatuar të reformës zgjedhore.
Megjithëse është një nga kushtet kryesore për marrjen e statusit të vendit kandidat, reforma u ndërpre dhe mandati i shtyrë tre here, deri më 15 maj, u dogj pa i dhënë fund ndryshimit të kodit elektoral.
Mungesa e konsensusit u vu re dukshëm në ditët e fundit të mandatit të komisionit për reformën zgjedhore.
Kjo kohë përkonte me nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit dhe ishte kjo arsyeja që Stefan Fule i kërkoi në Tiranë Sali Berishës dhe Edi Ramës të përfundonin reformën zgjedhore, në mënyrë që, siç tha komisioneri Fule, zgjedhja e presidentit të bëhej pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit.
Të paktën prej një muaji, ky problem vazhdon të jetë në fuqi, sepse reforma zgjedhore ka ngecur. Tre janë çështjet per t’u zgjidhur për ndryshimin me konsensus të kodit.
Njëra, votimi pjesor elektronik, besohet çështje e zgjidhshme. Dy çështjet e tjera, mënyra se kur dhe si merren provat nga kutitë e materialeve zgjedhore, si dhe formatimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve janë dy çështjet ku palët nuk kanë gjetur konsensus.
Me vendimin për të rimandatuar komisionionin e reformes zgjedhore deri më 12 korrik, socialistët dhe demokratët po i japin vetës edhe një shans tjetër për të gjetur kompromisin, edhe pse deri tani nuk është vënë re asnjë perafrim qëndrimesh.
Këto katër javë pauzë, ku në mes ishte çështja e zgjedhjes së presidentit, i kanë lënë demokratët dhe socialistët po aq larg sa ditën kur skadoi mandati i komisionit.
Tre javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të provuar vullnetin përkatës në rigjetjen e konsensusit.
Por, tre javët e ardhshme do të jene po aq vendimtare për t’i dhënë ose jo partnerëve europiane mesazhin e mirëkuptimit të brendshem politik, që besohet se është edhe çelësi që hap derën për marrjen këtë vit të statusit të vendit kandidat.
PD: PS të mos bllokojë reformën
Partia Demokratike deklaroi të enjten pasdite në një konferencë për shtyp se opozita nuk duhet të bllokojë reformën dhe heqjen e imunitetit.
“PD ka vlerësuar punën serioze të bërë deri sot nga palët në reformën zgjedhore dhe ka bindjen e plotë se në rast se ekziston vullneti politik kjo reformë mund të përfundojë brenda afatit të kërkuar nga palët. PD uron që edhe pala tjetër ta realizojë, sepse konsensus do të thotë lëshim dhe jo bllokim dhe se nuk do të përdorë afate shtesë për bllokim shtesë. PD është e vendosur të pranojë cilindo variant që do të zgjedhë opozita për heqjen e imuniteteve, pra, heqjen e imuniteteve me ndryshimet ligjore dhe kushtetuese që ajo preferon”, tha nga Selia e PD, zëdhënësja Silvi Bardhi.
Top Channel