Kuvendi i Kosovës pritet që të premten të miratojë në shqyrtim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve, përmes së cilit bëhet përmbyllja e mbikqyrjes së pavarësisë.
Kjo vjen vetëm pak ditë para se më 2 korrik Grupi Ndërkombëtar Drejtues të mblidhet enkas për këtë çështje.
Arsim Bajrami shpjegon për Top Channel se Projektligji në fjalë prek 22 ligje, dhe se përmes kësaj ndryshimet mund të grumbullohen në tri grupe.
“1. Janë ndryshime me të cilat bëhet shuarja e prezencës civile ndërkombëtare, apo misionit të ICO-së, bartja e kompetencave tek Qeveria dhe Kuvendi. 2. Janë disa ndryshime teknike, çdo kund ku përmendet në ligjet e Kosovës prezenca civile ndërkombëtare ajo shuhet, dhe 3. Garancionet për lirirtë dhe të drejtat fetare, me të cilat sigurohet që pas përmbylljes së mbikqyrjes së pavarësisë do të respektohen të gjitha kërkesat e Pakos së Ahtisaarit sa i përket të drejtave fetare, politike dhe të drejtave tjera të pakicave”, tha Arsim Bajrami, Kryetar i Komisionit Kuvendor për Ndryshimin e Kushtetutës.
Në mbledhjen e kaluar të këtij komisioni edhe përfaqësues të partive politike opozitare si LDK dhe AAK janë shprehur se do të votojnë për kalimin e këtij projektligji.
Ndërsa, në Vetëvendosje deklarojnë se nuk do të votojnë për kalimin e këtij projektligji. Glauk Konjufca thotë se me këtë duhet të përfundoj edhe Plani i Ahtisaarit e jo vetëm mekanizmave mbikqyrës të tij.
“Për ne ka kuptim një përfundim i mbikqyrjes së pavarësisë si përfundim i Planit të Ahtisaarit. Duhet t’i jepet fund Planit të Ahtisaarit si të tillë. Këtu po i jepet fund mekanizmave mbikqyrës të këtij Plani sepse ky Plan është institucionalizuar tashmë nëpërmjet ligjeve dhe është bërë pjesë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, Glauk Konjufca, Deputet, VV.
Sidoqoftë, sipas Arsim Bajramit, deri më 11 shtator është dita e fundit kur Kosova duhet të përmbyllë të gjitha obligimet në mënyrë që Grupi Ndërkombëtar Drejtues solemnisht të shënojë përfundimin e pavarësisë së mbikqyrur.
Top Channel