Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, është e gatshme të
takohet me presidentin e ri të Serbisë, Tomislav Nikoliç. Ajo është
shprehur e gatshme të takohet kurdo dhe kudo, nëse një gjë e tillë është
në interes të Kosovës.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, që me zgjedhjen në këtë funksion ka deklaruar se do të jetë e gatshme që të takohet me këdo, kurdo dhe kudo kur kjo është në interes të popullit dhe të shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës, është shtet sovran dhe i pavarur, që ka të garantuar integritetin e saj territorial dhe në të gjitha marrëdhëniet ndërkombëtare përfaqësohet vetëm si e tillë dhe si subjekt i barabartë me të tjerët”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Arbër Vllahiu, këshilltar për media i presidentes Jahjaga.

Jahjaga është shprehur e gatshme të përkrahë procesin të dialogut që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin dhe lehtësimin e BE-së, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Dialogun e konsideron si të vetmen alternativë dhe të vetmen rrugë që dy vendet, të cilat kanë kaluar nëpër luftë të mund t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe t’i sanojnë pasojat dhe dëmet e luftës.

“Presidentja Jahjaga dialogun në Bruksel e ka parë si të vetmen rrugë me të cilën Serbia mund të detyrohet që të respektojë normat ndërkombëtare karshi Kosovës dhe popullit të saj. Presidentja Jahjaga thekson se është e domosdoshme që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Vllahiu.

Deklarat e Jahjagës, vjen vetëm pak ditë pas deklaratës së kreut të ri të shtetit serb, Tomislav Nikoliç,  i cili u shpreh i gatshëm për të takuar homologen e tij kosovare.

Top Channel