Ashtu siç pritej kabineti i ri qeveritar që është komunikuar zyrtarisht nga zëdhënësi i qeverisë, ka një përbërje dominuese të konservatorëve grekë.

E planifikuar në fillim për 28 poste, por e përfunduar me 38 ministra e zëvendësministra, qeveria e re ka edhe një përbërje tërësisht burrërore, pasi ka vetëm një grua ministre dhe një zëvendësministre.

Shumica e anëtarëve të qeverisë janë betuar në pasditen e së enjtes para presidentit Papulias dhe kryepeshkopit të Greqisë dhe një orë më pas janë mbledhur në takimin e parë të kabinetit.

Kryeministri grek ka rikrijuar tre ministri të reja, atë të Marinës Tregtare dhe të Turizmit, si dy sektorë kyç për rimëkëmbjen e ekonomisë, por edhe atë të Maqedonisë dhe Trakës, që shpjegohet si rikthim në pozicionimet e ashpra të konservatorëve dhe të vetë Samaras në çështjen e panegociueshme për ta, të emrit të Maqedonisë.

Gjithashtu në postet kyçe të Ministrisë së Jashtme, të Brendshme dhe të Rendit janë vendosur emra të fuqishëm të së djathtës si Dhimitris Avramopoulos, Euripidhis Stilianidhis dhe Nikos Dhendias. Dy partitë e tjera të koalicionit qeveritar PASOK dhe e Majta Demokratike nuk marrin pjesë në qeveri me deputetë, por kanë propozuar bashkarisht Ministrin e Financave, Vasilis Rapanos ,President i Bankës Kombëtare Greke dhe shtatë anëtarë të tjerë.

Këto dy forca tashmë në pushtet, kërkojnë të qendrojnë në dukje, larg masave shtrënguese që do të marrë qeveria e re, ndërsa dihet publikisht se bashkë me Demokracinë e Re kanë nënshkruar një marrëveshje për të mbështetur plotësisht koalicionin.

Si test për qeverinë e re konsiderohet samiti i Ministrave të Financave të Eurozonës në Luksemburg, ku Greqia do të kërkojë lehtësimin e disa prej kushteve të marrëveshjes si dhe zgjatjen e periudhës së pagesës së borxhit.

Nga ana tjetër partnerët europianë, nuk duken të gatshëm të bëjnë ndonjë lëshim nga programet e nënshkruara prej Athinës dhe kjo do të ishte një goditje e parë për qeverinë e sapokrijuar.

Gjithsesi presidenti i KE Manuel Baroso ka shprehur kënaqësinë e tij për formimin e qeverisë, ndërsa kryeministri Samaras ka marrë telefonata urimi nga Merkel, Putin, Erdogan, Kameron, Rahoi dhe udhëheqës të tjerë europianë.

Por ende mungojnë përgëzimet zyrtare nga socialisti Holande, kur në disa media franceze, Samaras konsiderohet si njeriu i shansit të fundit për Greqinë.

Top Channel