Rama: PS, avokat i statusit në BE

20/06/2012 19:40

Kreu i Partisë  Socialiste, Edi Rama, zhvilloi disa takime gjatë vizitës njëditore në Bruksel. Zhvillimet politike dhe impakti i tyre në proçesin integrues të vendit u diskutuan fillimisht me presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schulz, më pas me kryeministrin e Belgjikës, Elio di Rupo dhe në Komision me drejtorin e përgjithshëm të Zgjerimit, Stefano Sanino.

“Ne e dimë shumë mirë se zgjedhja e njëanshme e Presidentit të Republikës i ka ulur në mënyrë dramatike shanset e Shqipërisë për ta marrë statusin e kandidatit. Por vokacioni ynë europian dhe angazhimi ynë i qartë përballë publikut, në funksion të interesit kombëtar, na imponon që të bëjmë të gjitha përpjekjet. Dhe sot në të tria takimet ne përsëri u munduam të jemi avokati i mirë i interesit kombëtar dhe i aspiratës europiane të popullit shqiptar”, ka deklaruar Rama në një intervistë për Top Channel.

TCH: Ndërkohë zgjedhja e Presidentit është bërë zoti Rama. Nuk ishtë një nga 12 kriteret e famshme, por një test për demokracinë e vendit. Tashmë çfarë mund të bëjë PS për plotësimin e reformave që nevojiten për marrjen e statusit kandidat?

Edi Rama: “Nuk mundet familja europiane të hedhë një hap drejt nesh, nëse ne nuk hedhim një hap drejt saj duke konfirmuar, së paku përmes një flete garancie siç do ta quaja një reformë të miratuar konsensualisht zgjedhore, vullnetin për të mos përsëritur historinë e zgjedhjeve të vjedhura dhe për të mos përsëritur ciklin e pushteteve që nuk burojnë nga vota e popullit. Kjo është mëse e qartë për të gjithë sot. Raporti i ODIHR-it flet shkoqur. Të gjitha qëndrimet e familjes europiane dhe të qeverisë së Shteteve të Bashkuara nga ana tjetër janë të qarta: Shqipëria duhet të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

TCH: Sipas Planit të Veprimit, pritej që marrëveshja të mbyllej brenda pranverës, me qëllim që në shtator të bëhet votimi për ndryshimin në Kodin Zgjedhor. A mos po shkojmë drejt dështimit të radhës të reformës zgjedhore?

Edi Rama: “Fatkeqësisht po provohet ajo që ne e kemi shprehur si një dyshim të qartë kur kemi hyrë në këtë proçes dhe kur kemi nënvizuar se afatet janë ajo çka përbën themelin e vazhdimësisë së kësaj historie si një histori suksesi, apo si një histori e njohur dështimi. Praktikisht afatet janë djegur, janë ridjegur dhe ne jemi përpara të njëjti skenar: skenarit të tërheqjes zvarrë të çështjeve madhore për ta vënë përsëri, qoftë opozitën, qoftë publikun, qoftë familjen europiane dhe të gjithë komunitetin ndërkombëtar përpara faktit të kryer. Partia Socialiste po bën gjithçka mundet por PS sot është në opozitë. Unë dua t’ju siguroj që si sot një vit, ne do të jemi në qeveri. Dhe qeveria jonë do të bëjë atë që kjo qeveri nuk e bën prej shtatë vitesh dhe nuk do ta ketë bërë edhe prej tetë vitesh. Do ta bëjmë, jo vetëm sepse besojmë, por edhe dimë ta bëjmë ashtu siç duhet bërë, gjithë rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes europiane”.

TCH: Ju besoni se do të vini në qeveri me zgjedhjet e ardhshme zoti Rama, ndërkohë që nuk ka marrë fund Kodi Zgjedhor. Ku e gjeni këtë besim?

Edi Rama: “Partia Socialiste dhe opozita shqiptare do t’i fitojnë zgjedhjet e ardhshme, me ose pa Kodin Zgjedhor. Por reforma zgjedhore është themelore për të garantuar familjen europiane dhe sigurisht, për të garantuar se çdo votë do të lexohet ashtu siç duhet. Çka dua të them është se me vjedhje Saliu dhe të tijtë mund të ngushtojnë distancën, por kurrë nuk do të arrijnë që të përmbysin vullnetin e popullit, sepse rezultati do të jetë një rezultat fitues për Partinë Socialiste dhe për opozitën shqiptare”.

Pa llogaritur pushimet verore të gushtit, Shqipërisë i kanë mbetur edhe dy muaj kohë për të plotësuar kushtet e Komisionit për statusin kandidat.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA