Me një minutë heshtje ka filluar mbledhja e qeverisë së Kosovës, në shenjë nderimi për figurën e ish-kryetarit të Bordit të AKP-së, Dino Asanaj, i cili vdiq javën e kaluar.

Me këtë rast, kryeminstri Hashim Thaçi, pasi ka shprehur ngushëllime për familjen Asanaj, ka thënë se do të bëjë gjithçka që rrethanat e vdekjes së Asanajt të sqarohen plotësisht.

“Do të shqyrtojmë çdo rrethanë, faktor dhe shtytje që ndikojnë në vdekjen e dhunshme të Asanajt, qoftë të veprimeve subjektive apo objektive, të shantazheve të bëra edhe në publik, nga individë apo grupe kriminale dhe mafioze, të cilët nuk e pranojnë ekonominë e lirë të tregut të lirë. Ne në Kosovë, në shtetin tonë të ri, nuk do të lejojmë me asnjë çmim që shantazhi, kërcënimi dhe dhuna të bllokojë ekonominë e lirë të tregut dhe konkurrencën”, ka deklaruar Thaçi.

Për më tepër, kryeministri Thaçi ka shtuar se Dino Asanaj ka punuar shumë për vendin në kohën e çlirimit, në kohën e përpjekjve në liri e shtetbërje dhe se për këtë do të respektohet gjithmonë.

Në anën tjetër, gjatë së mërkurës lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar transparencë në zbardhjen e rastit të vdekjes së Dino Asanajt.

“Meqenëse tanimë është lëkundur edhe besimi në institucionet e mjekësisë ligjore dhe meqenëse Dino Asanaj ishte edhe shtetas amerikan, kërkojhmë që ekspertë të pavarur të mjekësisë ligjore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bëjnë një vlerësim të pavarur të rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së Dino Asanajt”, thuhet në letrën e këtij subjekti politik, ku shtohet se kërkesa do t’u dërgohet zyrtarëve të shtetit amerikan dhe disa kongresistëve e senatorëve.

Rezultatet e autopsisë së kryer nga mjeku ligjor kosovar thoshin se Asanaj është vetëvrarë, pistë kjo që mbështetej nga ajo e zyrës ligjore të misionit EULEX

Top Channel