NATO-ja do të mbetet e përkushtuar për krijimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ka qenë kjo garancia që komandanti suprem i Aleancës për Evropën, James Stavridis i ka dhënë presidentes Atifete Jahjaga, gjatë një takimi të zhvilluar të mërkurën në Prishtinë.
Ndër të tjera, Stavridis e ka siguruar kryetaren e shtetit ballkanas, se nuk ka asnjë plan për reduktimin e pranisë së ushtarëve të KFOR-it, duke theksuar se ata do ta përmbushin deri në fund misionin.
Nga ana e saj, zonja Jahjaga ka dënuar sulmin e kryer të martën ndaj kampit të ushtarëve të KFOR-it në veri të vendit, nga i cili mbeti i plagosur një ushtarak.
Jahjaga ka theksuar se, vendosja e rendit dhe ligjit në veri mbetet sfida kryesore e institucioneve të Kosovës dhe ka shprehur mbështetjen e tyre ndaj misionit të NATO-s.
Dy granata dore u hodhën në kampin e trupave të KFOR-it mëngjesin e së martës nga banorë të komunitetit serb, në pikën kufitare të Bërnjakut.
Nga shpërthimi i një prej granatave një ushtar i KFOR-it humbi përkohësisht dëgjimin. Misioni i NATO-s reagoi ndaj ngjarjes, duke dënuar dhunën dhe duke premtuar luftimin “fuqishëm” të saj.
Ndërkohë, pika kufitare numër 31, siç njihet ndryshe pika e Bërnjakut, do të vazhdojë të mbetet e mbyllur deri në një urdhër të dytë.
Top Channel