Disa persona mbetën të lënduar, ndërsa boshnjakët dhe kroatët u përballën në qytetin e Mostarit me popullsi të përzjerë, pas eliminimit të Kroacisë në Euro 2012.

Sipas asaj që publikoi të martën shtypi vendas, incidenti ndodhi kur disa grupe huliganësh u përballën, pasi boshnjakët dolën për të festuar humbjen e fqinjëve të tyre.

Kroatët etnikë, 45 mijë në total në qytetin me 120 mijë banorë, u përgjigjën duke u konfrontuar fizikisht dhe duke qëlluar boshnjakët me gurë, shishe e sende të tjera të forta.

Si rrjedhojë, xhamat e dyqanëve u thyen, ndërsa në qytet u regjistruan dëmtime të shumta, që detyruan policinë të kërkonte ndihmën e forcave speciale.

Turmat u shpërndanë pas disa orë përleshje urbane në orët e para të mëngjesit, pasi autoritetet u detyruan të përdornin gaz lotsjellës.

Disa policë pësuan dëmtime të lehta dhe disa qytetarë gjithashtu morën asistencë në spitalet e zonës. Ndërkohë, sipas mediave boshnjake, shtatë persona u arrestuan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA