Bashkimi Evropian i ka vënë tre kushte të reja Serbisë për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e vendit ballkanas në Union.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja serbe “Politika”, sipas të cilës kushtet në fjalë i janë paraqitur Beogradit nga ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak.

Sipas gazetës, përveç kërkesës për heqjen e institucioneve paralele në veri, BE ka kërkuar hapjen e zyrës serbe në Prishtinë dhe lejimin e asaj kosovare në Beograd, si dhe takimin e nivelit të lartë mes përfaqësuesve të dy qeverive.

“Politika” saktëson më tej se, me institucionet paralele, Brukseli ka parasysh gjykatat, shkollat dhe spitalet, ndërkohë që ka kërkuar dhe instalimin e numrave të veçantë telefonikë për Kosovën.

Bogdanoviç: Nuk i presim financimet në veri

Por, ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç ka deklaruar se Beogradi nuk ka ndërmend t’i ndërpresë financimet e institucioneve paralele në veri të Kosovës.

“Pa përfunduar bisedimet serioze për statusin politik të veriut, shteti ynë nuk mund ta ndalë mbështetjen financiare të institucioneve tona atje”, ka thënë Bogdanoviç për “Veçernje Novosti”.

Ministri në ikje ka theksuar se, Serbia është e gatshme për dialog dhe për një zgjidhje kompromisi, “por jo për përmbushjen e kushteve që bien ndesh me interesat kombëtare”.

Beogradi ka treguar kështu se nuk ka ndërmend të zbatojë kushtet e paraqitura më herët gjatë muajit nga komisioneri për Zgjerimin Shtefan Fyle, i cili deklaroi qartë se, Serbia duhet të bëjë progres në marrëdhëniet me Kosovën.

I njëjti mesazh presidentit të sapozgjedhur serb iu përsërit nga shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, por duket se mesazhet e Brukselit bien në vesh të shurdhët.

Top Channel