Gjykata e Elbasanit shpalli masën e “burgut pa afat” për shtetasin Mithat Biçaku, drejtuesi i autobusit që mbarte delegatët e Aleancës Kuq e Zi, të rrëzuar ditën e shtunë në Qafë-Krrabë.
Në aksidentin në fjalë mbetën të plagosur disa delegatë dhe shoferi dyshohet se është përgjegjës për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Burime policore bënë me dije për “Top-Channel” ditën e martë se Biçaku është dërguar në burgin e Peqinit, ku do të presë fillimin e procesit ndaj tij.
Më parë, drejtuesi i autobusit fajësoi një “Land Rover” të ri, që e goditi, duke e nxjerrë nga rruga e duke e hedhur në humnerë.
I njëjti version është mbështetur edhe nga të gjithë udhëtarët e tjerë, por policia nuk ka arritur të identifikojë ende asnjë mjet që i përgjigjet përshkrimit të të përfshirëve në këtë incident.
Në paraqitjen e fundit publike, në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, lideri i “AK”-së, Kreshnik Spahiu, bëri edhe një herë më shumë thirrje që strukturat shtetërore të vihen në lëvizje dhe të bëjnë zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Top Channel