Siç pritej, fitorja e konservatorëve në Greqi i ka gëzuar presidentët e institucioneve kyçe europiane dhe veçanërisht anëtarët e Eurozonës, të cilët rendën të përshëndesin të preferuarit e tyre në këto zgjedhje, para se t’iu rikujtojnë grekëve sakrificat që i presin edhe në të ardhmen.
“Populli grek foli dhe ne respektojmë plotësisht zgjedhjen demokratike që bënë grekët. E kemi thënë gjithnjë se Greqia i përket familjes Europiane, BE-së dhe Eurozonës. Rezultati është shumë i qartë dhe kjo zgjedhje na gëzon. Tani duhet të zbatojmë dhe të ndjekim programin rregullues për të forcuar rritjen ekonomike, punësimin dhe lulëzimin e popullit grek, dhe BE mbetet e gatshme të ndihmojë për arritjen e këtyre qëllimeve”, ka deklaruar Herman Van Rompuy, president i Bashkimit Europian.
“Ne kemi shpresa se rezultati i zgjedhjeve do të mundësojë formimin e shpejtë të një qeverie. Sot ne përshëndesim kurajon dhe qëndresën e popullit grek, krejtësisht i ndërgjegjshëm për sakrificat që i kërkohen për të ringritur ekonominë greke dhe për të ndërtuar një rritje te re të qëndrueshme për vendin”, ka thënë Jose Manuel Barroso, president i Komisionit Europian.
Edhe presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, vlerësoi sakrificën e madhe të grekëve në mbështetje të Eurozonës, duke shpresuar që pesha e reformave do të shpërndahet në mënyrë më të barabartë për më shumë drejtësi shoqërore në vend. Pak kohë pas daljes së rezultateve, edhe Eurogrupi reagoi nëpërmjet një deklarate për shtyp.
“Eurogrupi i njeh përpjekjet e mëdha të deritanishme të qytetarëve grekë dhe është i bindur se vazhdimi i reformave strukturore dhe fiskale janë garancia më e mirë që Greqia të kapërcejë sfidat aktuale ekonomike dhe shoqërore për një të ardhme më të begatë të Greqisë në zonën euro”, thuhet në deklaratë.
Deklarata mbyllet me kërkesën për formimin e shpejtë të një qeverie, e cila do të ndjekë e zbatojë reformat për të cilat Eurogrupi dhe Greqia janë angazhuar së bashku më herët gjatë vitit.
Top Channel