Lideri i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, flet në “Top-Channel”, në “Shqip” nga Rudina Xhunga, për qëndrimet e qarta të AK-së në lidhje me shumë çeshtje dhe programin e saj elektoral.
Zgjedhjet e vitit 2013, reagimi për presidentin, momenti aktual politik dhe ekonomik i Shqipërisë, premtimet konkrete të “Aleancës Kuq e Zi”, aksidenti i ndodhur në Qafë-Krrabë disa ditë më parë dhe çështje të tjera të aktualitetit, u vendosën në qendër të debatit të “Shqip”.
I vendosur përballë analistëve Erl Murati, kryeredaktor i “Gazetës Shqiptare”, Robert Rakipllari, kryeredaktor i “Panoramës” dhe Eduard Zaloshnja, analist i “Respublika”, Spahiu nisi komentin e tij pikërisht nga aksidenti i ndodhur javën e shkuar, kur autobusi me disa mbështetës të “AK”-së ranë në humnerë në rrugën Tiranë-Elbasan, në dukje pasi makina e tyre u godit nga një fuoristradë.
Aksidenti i Qafë-Krrabës
“Sapo kontaktova me të dëmtuarit dhe aktualisht kanë mbetur vetëm tre prej tyre që pritet të dalin nga spitali nesër a pasnesër. Asnjë nuk ka qenë e nuk është në rrezik, një mrekulli pasi skenat ishin të ngjashme me atë të tragjedisë së Himarës, me humnerën që ishte diçka më pak e thellë. Ndoshta relievi e ka lehtësuar aksidentin dhe pas tre rrotullimeve, 35 delegatët nga Librazhdi, fatmirësisht vetëm janë lënduar. Më pas ata janë trajtuar me shumë profesionalizëm në spitalin e Elbasanit, pavarësisht kushteve afrikane në të cilën ai ndodhet”, tha Spahiu, duke shprehur njëkohësisht çudinë se si ka mundësinë që kryeministri Berisha, shprehu një indiferencë totale në lidhje me këtë aksident, duke ndryshuar krejtësisht nga qëndrimi i aksidentit të Himarës.
Në lidhje me qëndrimin zyrtar të kuqezinjve në lidhje me aksidentin, Spahiu shtoi: “Ne jemi shumë institucionalë dhe respektojmë shtetin shqiptar. Jemi në pritje që autoritetet të tregojnë seriozitetin e tyre, presim eksperizën. Personalisht kam qenë në vendngjarje, kontaktin e pata me zëvendësdrejtorin e Policisë së Shtetit, Zotin Rrumbullaku, që më ka dhënë presim eksperizën, por që nga të dhënat e para ka thënë që ka pasur një përplasje. Të njëjtën dëshmi kanë bërë edhe 35 të aksidentuarit në dhomat e ndryshme të spitalit. Pas 24 orësh, hetimi po merr një drejtim tjetër, deri më sot s’ka pasur asnjë përpjekje për të nxjerrë kush mund të ketë qenë “Range Rover” i zi që është përplasur. Ne kemi nxjerrë një listë me të gjithë “Range Rover”-at e zinj, me targa përkatëse, ndonëse këtë duhet ta bëjë policia. Për të zbardhur ngjarjen mjafton të shohim kamerat në dalje të Tiranës apo hyrje të Elbasanit, shohim çfarë makinash kanë qarkulluar në harkun e dyshuar kohor dhe kështu nisim hetimet. Është në dinjitetin e shtetit të zbardhë ngjarjen, qoftë edhe pa tendencë apo nga një shofer i pirë, pak rëndësi ka”.
Sondazhet elektorale dhe financimet e “Aleancës Kuq e Zi”
Në vazhdim të bisedës me Spahinë në “Shqip”, analistët u përqendruan tek sondazhet që japin një mbështetje rekord për “AK”-në dhe financimet e kësaj lëvizje. “Sipas sondazhit më të keq, ne jemi në kuotat e 21% të mbështetjes popullore në vend, ndërsa sipas sondazhi i fundit i Sorosit na ka vendosur në të njëjtat kuota si PS dhe PD, ndërsa unë, pavarësisht modestisë, kam rezultuar më i parapëlqyer se Berisha apo Edi Rama”.
Në ndërhyrjen e tij, Rakipllari vlerësoi se sondazhet nuk janë shumë bindëse dhe thelbësore në Shqipëri, ndërsa zhvendosi vëmendjen tek financat e kësaj partie politik, duke kujtuar se në kohën kur vetë Spahiu mbante detyrën e kryetarit të zyrës për mbrojtjen e qytetarit, transparenca e partive ishte një kërkesë thelbësore e tij.
“Ne i bëjmë aktivitetet me aktivistët lokalë, si në Kavajë, ku u konfirmuan forca më e madhe duke grumbulluar 20 mijë veta në Kavajë. Dua të sjell në vëmendje një lajm shumë të rëndësishëm të publikuar gjatë ditës nga “Top-Channel”, ai i pagesës për lobime në SHBA të partive të mëdha shqiptare, që tregon se sa shumë janë të përfshira partitë tona në aktivitete korruptive dhe financime të paqarta. Duke ardhur tek “Aleanca Kuq e Zi”, ne nuk jemi një lëvizje në pushtet, që s’ka kujt t’i japë tendera, s’kemi kë fusim në punë, privatizim, etj. Tek ne të gjithë paguajnë kuota, sipas mundësive. Po, brenda nesh ka edhe biznesmenë të mëdhenj, por që s’japin tonë donacione të mëdha, pasi kanë frikë nga pushteti. Nga ana tjetër, që sot e shpërndaj lëvizjen, nëse vërtetohet se kemi financime nga shtete të ndryshme, siç është spekuluar. Ju garantoj se asnjë luftë s’ka përfunduar ndonjëherë në botë se kanë përfunduar fishekët. Po të motivosh njerëzit, municion gjen dhe ne kemi kauzën e duhur”.
Transparenca dhe bashkimi kombëtar
Por cila është platforma e Aleancës Kuq e Zi nëse ajo vjen në pushtet? Për kreun e saj, Kreshnik Spahiu themeli është bashkimi kombëtar i dy shteteve shqiptare para anëtarësimit në Bashkimin Europian:”Tabulatet telefonike të politikanëve duhet të publikohen. Mendoj që një nga arsyet e thjeshta pse duhet të besojnë AK është se jam zyrtari i parë që në funksionin që kisha rezistova dhe bëra një luftë pa ndërprerje kundër regjimit të Berishës, Jam zyrtari i parë që kam lënë benefitet e një posti për hir të një kauze, zyrtari që kam bërë rezistencë për kauza kombëtare si censusi, ndryshimi i kombësisë, dhe Gërdeci. Këto janë arsyet që realisht publiku sot beson. AK s’ka ambicie pushteti, por të bashkojë shqiptarët në një shtet para se të hyjmë në BE. Është e padrejtë që sulmet që na vijnë brenda Shqipërisë janë më të mëdha se ato që na vijnë nga Greqia dhe Serbia. Këto sulme i bëjnë një shërbim klaneve anti-shqiptare. Ndryshimi im me Berishën është ky: Berisha për hir të karriges është i gatëshëm të shesë të gjitha parimet e tij, të shesë kombin për të qendruar në pushtet, unë jo. Mua më gjen kudo, pa shoqërues, pa shofer, në cdo kafene i vetëm. Bashkimi ka nisur më 28 nëntor 1912 dhe tani janë pjekur kushtet, ne jemi realistë dhe profesionistë se si mund të realizohet bashkimi kombëtar. Bashkimi shqiptar do të ndodhë para anëtarësimit me Brukselin. Platforma e AK është e ngjashme me platformën e kancelarit gjerman Kohl që bashkoi dy Gjermanitë. As Brukseli dhe as ndonjë qeveri e huaj nuk mund të kundërshtojë bashkimin e dy shteteve shqiptare”.
Top Channel