
Studentët shqiptarë nga Maqedonia që përfundojnë studimet nëpër univestitetet e Kosovës në të ardhmen do të mund t’i nostrifikojnë diplomat e tyre në Ministrinë e Arsimit në Shkup.
Qindra studentë nga Maqedonia me vite nuk kanë mundur të nostrifikojnë diplomat e tyre për shkak se Ministria maqedonase e Arsimit nuk ka njohur vërtetësinë e diplomave të universiteteve kosovare. Zëvendësministri i arsimit në Maqedoni, Safet Neziri, thotë se ky problem është tejkaluar me një vendim të Qeverisë për lehtësimin e procedurave për njohjen e diplomave nga Kosova.
“Bëhet fjalë për ata studentë që janë diplomuar në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe të gjithë ata që në të ardhmen do të diplomohen në Kosovë. Para pavarësisë nuk ka pasur problem sepse përmes UNMIK-ut ka qenë e rregulluar kjo çështje me vulë apostile”, shprehet Neziri.
Numri dy i Ministrisë së Arsimit tha se shumë shpejt do të nisin procedurat për njohjen e diplomave për të gjithë ata kandidatë që me vite po presin tu njihen studimet që kanë kryer në Kosovë. Ai shpreson që kjo çështje të përfundojë brenda këtij viti: “Mendojmë që brenda një afati të caktuar, brenda këtij viti, në bashkëpunim edhe më institucionet e Kosovës që të rregullohet ajo marrëveshje paraprake që kemi bërë mes grupeve të punës të të dyja vendeve.”
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, bëhet fjalë për 200 persona që kanë përfunduar studimet në Kosovë dhe me vite nuk kanë mundur të nostrifikojnë diplomat e tyre në Maqedoni, por burime jozyrtare thonë se ky numër është edhe më i lartë.
Top Channel