Pasi konservatorët grekë kanë fituar në zgjedhjet e 17 qershorit, lideri i tyre Andonis Samaras ka marrë mesditën e së hënës mandatin presidencial për krijimin e qeverisë, duke dëgjuar edhe këshillën e kreut të shtetit, Papulias, se vendi nuk duhet lënë asnjë orë pa qeveri.

Udhëheqësi i Demokracisë së Re ka deklaruar se do të proçedojë urgjentisht në formimin e një qeverië afatgjatë me forcat politike që besojnë tek ecuria europiane dhe që duan të respektojnë marrëveshjen e huasë dhe zbatimin e reformave.

Më pas, në kuadrin e negociatave për krijimin e një qeverie të shpëtimit kombëtar, ai është takuar me kreun e Radikalëve të majtë, Aleksis Tsipras, i cili ka deklaruar nga ana e tij se duhet që të krijohet menjëherë qeveria, por partia e tij nuk do të marrë pjesë në një kabinet të tillë, pasi ka një program krejtësisht të kundërt dhe do të luftojë nga pozicioni i forcës më të madhe opozitare në vend.

Në vazhdim, ai ka pritur Evangjelos Venizellos, kreun e socialistëve me të cilët konservatorët shpresojnë të bashkëqeverisin dhe deri në mbremjen e së hënës ezauron edhe takimet me krerët e partive të tjera parlamentare duke u përpjekur të ndryshojë imazhin e Greqisë në negociatat e pafundme pas zgjedhjeve të 6 majit.

Konservatorët vërtet fituan 30% të votave dhe 129 nga 300 vende në Parlament, por duan që të kenë një qeveri me mbështetje të gjerë. Në bazë të rezultatit, vetëm 42% e grekëve kanë mbështetur me dhimbje forcat pro marrëveshjes së huasë, ndaj kërkojnë një konsensus të gjerë parlamentar me socialistët dhe të majtën demokratike.

Samaras ka deklaruar se do të kërkojë nga Brukseli dhe Berlini një lehtësim të kushteve dhe të kohës së shlyerjes së detyrimeve financiare të Greqisë, duke respektuar gjithnjë reformat.

Por ajo që komentojnë, sidomos mediat e majta, është fakti se që dje në mbrëmje, kur konservatorët mësuan se ishin fitimtarë, në asnjë deklaratë lideri i tyre nuk përmend rinegocim të marrëveshjes apo zbutje të kushteve të saj.

Lideri i Demokracisë së Re e di shumë mirë se do të gjejë përsëri kundërshtime dhe protesta publike në rrugën për zbatimin e masave të dhimbshme si reduktimi i 150.000 vendeve të punës në sektorin publik, reduktimi i rrogave dhe pensioneve, privatizimet dhe liberalizimi i profesioneve të ndryshme.

Top Channel