Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri i ka dërguar një letër ambasadorit amerikan të akredituar në Tiranë, në lidhje me proçesin gjyqësor që po zhvillohet mes tij dhe fëmijëve të kryeministrit Berisha.
Në letrën dërguar diplomatit Alexander Arvizu, deputeti socialist pretendon për padrejtësi që po i bëhen atij në këtë proçes gjyqësor.
“Fëmijët e kryeministrit më kërkojnë 60 mijë euro dëmshpërblim. Gjykata më ka mohuar thirrjen e dëshmitarëve me justifikimin se s’u gjendet adresa, ndërsa gjykatësi, në mënyrë të njëanshme mbylli hetimin gjyqësor ndaj meje. Ju ftoj të jeni të pranishëm në seancën mbyllëse të gjyqit tim”, thotë Tahiri në letrën e tij.
Në këtë mesazh, deputeti socialist rithekson se ka qenë gjithmonë një kritik i ashpër i sistemit gjyqësor në Shqipëri, duke denoncuar edhe faktin se, gjykata në proçesin ndaj tij refuzon t’u kërkojë institucioneve dokumentat që shërbejnë si prova.
Javën e kaluar, pas 12 seancave gjyqësore, avokati mbrojtës i dy fëmijëve të kryeministrit Berisha, Sokol Barçi dha konkluzionet përfundimtare ndaj deputetit Tahiri.
Avokati i kërkoi gjykatës të detyrojë të paditurin prej tyre, deputetin Tahiri, t’i dëmshpërblejë dy fëmijët e kryeministrit Berisha për dëmin pasuror dhe jo pasuror me nga 4 milionë lekë secilin.
Ndërkohë, deputeti Tahiri kërkoi kohë për konkluzionet e tij, përpara se gjykatesi Ilir Çeliku të shpallë vendimin. Gjykata i dha atij kohë deri më 20 qershor.
Ndërsa në dalje të gjykatës, ai deklaroi për mediat se kishte dokumentet e duhura për të provuar qëndrimin e tij në një emision ku ai pohonte se fëmijët e kryeministrit janë të korruptuar.
Top Channel