Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Faith e ka cilësuar si një histori suksesi mbylljen e proçesit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

“Përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur më 13 shtator në Kosovë do të dërgojë një mesazh suksesi në rajon dhe në vendet e tjera të përfshira në konflikte”, ka deklaruar Faith.

I cituar nga “RTK”, zyrtari evropian ka vlerësuar se mbyllja e kësaj faze do të shërbejë edhe si një shembull i bashkëpunimit mes autoriteteve vendase dhe komunitetit ndërkombëtar.

Më herët gjatë muajit Gjykata Kushtetuese e Kosovës dha dritën e gjelbërt për fundin e pavarësisë së mbikëqyrur nga ndërkombëtarët.

Ky institucion ra dakord për 21 nga 22 amandamentet e propozuara nga qeveria, të cilat kanë të bëjnë me heqjen e kompetencave për praninë civile ndërkombëtare.

Kështu u aprovua edhe heqja e rezervimit të 20 vendeve për komunitetet pakicë në Parlamentin e Kosovës.

Pas kësaj, partitë e pakicave do të përfaqësohen në Parlament me numrin real të deputetëve që fitojnë gjatë zgjedhjeve dhe jo me kuotat e përcaktuara deri më sot.

Ndërsa katër ditë më parë, kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e qeverisë, deklaroi se kanë mbetur edhe tri javë deri në përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA