
Kryeministri italian, Mario Monti priti në Romë presidentin francez, Francois Hollande. Kriza e Eurozonës, zgjedhjet në Greqi dhe zhvillimet në Siri ishin tre temat kryesore që mbizotëruan në takimin mes dy liderëve.
Në përfundim të takimit që zgjati përreth dy orë, Monti e Hollande dolën në një konferencë për mediat duke deklaruar se kishin arritur një konsensus për krizën e Eurozonës dhe përsa i përket Greqisë theksuan se ajo duhet të qendrojë në zonën e monedhës së përbashkët.
“Përpjekjet për të frenuar krizën nuk kanë qenë të vogla, por gjithashtu nuk kanë asnjëherë të mjaftueshme. Ramë dakort se përmirësimet progresive që janë bërë në qeverisjen e Eurozonës nuk janë të mjaftueshme për të shpëtuar Euron, ndaj duhet të punojmë për të forcuar pikat e forta të sistemit”, deklaroi kryeministri italian Mario Monti.
Ndërsa presidenti francez, Francois Hollande kërkoi që nga Eurozona të adoptohen mekanizma të reja për të izoluar shtetet anëtare të monedhës së përbashkët dhe bankat e tyre nga tregjet ndërkombëtare.
Hollande tha se do t’u kërkojë liderëve të BE-së marrjen e masave për të fuqizuar rritjen ekonomike dhe rritjen e stabilitetit financiar për vendet në vështirësi.
Top Channel