Argjentina kërkon bisedime për Ishujt Falkland

15/06/2012 08:40

Cristina Fernandez de Kirchner ka kërkuar që Britania e Madhe të hyjë në bisedime mbi sovranitetin e Malvineve ose Ishujve Falkland siç i quajnë britanikët.

Presidentja e Argjentinës iu drejtua Komitetit të Kombeve të Bashkuara në 30-vjetorin e përfundimit të luftës mes Britanisë dhe Argjentinës. Ajo theksoi se gjeografia dhe historia mbështesin variantin e argjentinasve.

Më parë David Cameron, kryeministri i Brianisë së Madhe, është shprehur se “nuk do të ketë negociata”.

“Kur pashë të valëvitej flamuri i atyre që ata quajnë Falklands më erdhi turp. Luftërat nuk festohen”, theksoi presidentja duke iu referuar faktit se në rezidencën e Cameron u valëvitën flamuj britanikë dhe të Ishujve Falklands në shenjë solidariteti me banorët e arkipelagut që festojnë sot 30-vjetorin e çlirimit.

Britania çliroi territorin e Mbretërisë së Bashkuar nga pushtimi i Argjentinës më 14 qershor të vitit 1982.

Kryeministri David Cameron dha një mesazh duke thënë se mbështetja e Britanisë për ishujt nuk është lëkundur në 30 vitet e fundit dhe nuk do të lëkundet as në vitet e ardhshme.

Veteranët e luftës së vitit 1982 drejtuan një paradë ushtarake drejt Monumentit të Lirisë, si një akt përkujtimi. Në luftën për ishujt janë vrarë 255 ushtarë të Mbretërisë së Bashkuar, 650 ushtarë argjentinas dhe 3 civilë nga Ishujt Falklands.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA