Spanja, kostot e huave në nivel rekord

14/06/2012 00:00

Kostoja e huave për Spanjën është rritur në një tjetër rekord të epokës
së euros, me huadhënësit që kërkojnë një normë më të lartë interesi.

Të ardhurat nga bondet 10-vjeçare u rritën mbi 6 për qind mëngjesin e së enjtes, një nivel që shumë analistë e shohin si të paqëndrueshëm në planin afatgjatë.

Rritja erdhi pasi agjencia e kreditimit “Moody’s” shkurtoi normat e interesit për Spanjën me një shkallë mbi nivelin “mbeturinë”, në prag të një ankandi për bondet italiane.

Në fundjavë, Spanja ra dakord për marrjen e një ndihme prej 100 miliardë eurosh për bankat e saj nga vendet e tjera anëtare të eurozonës.

Pritej që ndihma të qetësonte frikën në tregjet financiare mbi gjendjen e bankave spanjolle dhe të lehtësonte kostot e huamarrjes për Madridin.

Megjithatë, “Moody’s” tha se plani i eurozonës për të ndihmuar bankat e Spanjës do të rriste barrën e borxhit për vendin iberik.

Agjencia e kreditimit shkurtoi normën e interesit të Spanjës nga A3 në BAA3 dhe deklaroi se mund ta reduktojë atë edhe më tej në tre muajt e ardhshëm.

Nëse Spanja zbret në nivelin “mbeturinë”, disa investitorë mund të detyrohen të shesin bondet e vendit, duke shtuar presionin në rritje mbi të ardhurat dhe duke sjellë ngritjen e kostove financiare të Spanjës.

Top Channel