SHBA-Indi thellojnë marrëdhëniet

14/06/2012 09:15

India dhe Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar bisedime për të thelluar marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin për sigurinë detare dhe atë informatike.

Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton dhe ministri i Jashtëm indian, SM Krishna u takuan të mërkurën në Uashington për dialogun vjetor strategjik.

Të dy ata diskutuan për çështje të lidhura me Afganistanin e Pakistanin, luftën kundër terrorizmit, si dhe rritjen e rolit të grave në pushtet.

Bisedimet u mbajtën disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara çliruan Indinë nga sanksionet në këmbim të ndërprerjes së furnizimit me naftë iraniane.

Pas bisedimeve të së mërkurës, zonja Clinton foli për interesa më të afërta strategjike mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë. Ajo mirëpriti progresin e bërë në përpjekjet e Amerikës për të investuar në industrinë bërthamore civile të Indisë.

Nga ana tjetër, ministri Krishna tha se India ka në plan të investojë 1 trilion dollarë në infrastrukturë në pesë vitet e ardhshme, duke ofruar mundësi biznesi për kompanitë amerikane.

“India dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin shkëmbimet e teknologjisë së mbrojtjes dhe bashkëpunimin mes dy vendeve për prodhimin e saj”, tha Krishna.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA