Ishujt Falkland do të shënojnë 30-vjetorin e përfundimit të luftës me Argjentinën, me disa ceremoni që do të mbahen në katedralen në Port Stenli dhe në Monumentin e Lirisë.
Britania çliroi territorin e Mbretërisë së Bashkuar nga pushtimi i Argjentinës më 14 qershor të vitit 1982.
Kryeministri David Cameron dha një mesazh duke thënë se mbështetja e Britanisë për ishujt nuk është lëkundur në 30 vitet e fundit dhe nuk do të lëkundet as në vitet e ardhshme.
Nga ana e saj, Argjentina pretendon sovranitetin e saj mbi ishujt dhe ka përjashtuar çdo thirrje të Britanisë së Madhe për negociata mbi të ardhmen e tyre.
Çlirimi i ishujve 74 ditë pas pushtimit argjentinas do të shënohet me një shërbim falenderimi në Katedralen Christ Church në kryeqytetin Port Stenli.
Veteranët e luftës së vitit 1982 do të drejtojnë një paradë ushtarake drejt Monumentit të Lirisë, si një akt përkujtimi. Emrat e 255 ushtarëve britanikë dhe tre civilëve vendas që humbën jetën në luftë do të përmenden gjatë kësaj ceremonie.
Në fjalimin e tij kryeministri Cameron tha se: “Përvjetori është një shans për të kujtuar të gjithë ata që humbën jetën gjatë konfliktit, si dhe për të parë drejt së ardhmes për ishujt Falkland”.
Top Channel