Egjipt, gjykata shpërndan parlamentin

14/06/2012 00:00

Ende pa nisur punën mirë, parlamenti i dalë nga zgjedhjet e para demokratike në Egjipt shpërndahet.

Kreu i Gjykatës Kushtetuese në Kajro, Faruk Sultan deklaroi zyrtarisht se ligji elektoral, interpretuar nga kjo gjykatë, bie ndesh me Kushtetutën, ndaj “sugjeron shpërndarjen e dy dhomave të parlamentit”.

Në një vendim të mëparshëm, Gjykata Kushtetuese egjiptiane kishte cilësuar si anti-kushtetuese zgjedhjen e 1/3-ës të anëtarëve të parlamentit egjiptian. Por në një interpretim të mëvonshëm,  zv/presidenti i Gjykatës tha se vendimi për pavlefshmërinë e 1/3-ës së mandateve në parlament, çon në pavlefshmëri të të gjitha mandateve.

Ky vendim rrezikon të pasohet me trazira të reja në vendin që akoma s’e ka marrë veten nga përleshjet dhe dhuna gjatë rrëzimit të Mubarak e deri tek mbajtja e zgjedhjeve. Të gjitha partitë parlamentare, si Vëllazëria Muslimane, ashtu edhe radikalët salafitë shprehen kundër këtij vendimi.

Të vetmit të fituar nga kjo situatë duket se janë ushtarakët. Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura egjiptiane, deklaroi menjëherë se pas këtij vendimi, pushteti rikthehet në duart e ushtarakëve.

“Ne nuk e duam këtë pushtet, por gjykata vendosi kështu”, thuhet në deklaratën e Këshillit të ushtarakëve i cili rimerr në dorë pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv me zotimin se do të përshtasë ligjin zgjedhor sipas vendimit të gjykatës e do të organizojë zgjedhjet e reja sa më parë që të jetë e mundur.

Vendimi rrezikon seriozisht edhe mbajtjen e raundit të balotazhit për zgjedhjet presidenciale. Në garën për president janë dy kandidatë, Mohamed Morsi nga Partia Liri dhe Drejtësi dhe Ahmed Shafiq, ish-kryeministër gjatë regjimit të presidentit Hosni Mubarak. 

Top Channel