Parlamenti Europian nisi luftën kundër Këshillit për marrveshjen e arritur me unanimitet javën e kaluar mes 27 vendeve anëtare për zonën Shengen.
Duke ndryshuar bazën ligjore, Parlamenti u përjashtua nga vendimmarrja që mundëson rikthimin e përkohshëm të kufijve të brendshëm, duke kërcënuar seriozisht lirinë e lëvizjes.
Parlamenti i kërkoi sqarime në seancë urgjente debati Presidencës Daneze, e cila u fshikullua nga të gjitha grupet politike.
Guy Verhofstadt, president i ALDE, Belgjikë:
“Për fat të keq zoti Ministër, pak minuta para nisjes së debatit, ju publikuat një deklaratë për shtyp në gjuhën daneze, por i kemi ca anëtarë danezë që lexojnë, ku thuhet se kjo marrëveshje është e mirë për Europën, është produkt i një dialogu të thellë me Komisionin dhe Parlamentin. Zoti Ministër, ne nuk jetojmë në Mesjetë më. Sot jetojmë në shekullin e 21, ku baza nuk është dialogu, por vendim-marrja e përbashkët në një shoqëri moderne dhe në një Parlament modern”.
Hannes Swoboda, President S&D, Austri:
“Ju e bëtë shumë të lehtë për ne zoti Ministër. Gjithçka ju thoni shkon fiks në të kundërtën e asaj çfarë ne besojmë, dhe ne jemi tërësisht kundër këtij vendimi. Grupi i socialistëve e demokratëve shprehet i prerë kundër vendimit tuaj. Ju jeni në rrugë të gabuar e të rrezikshme”.
Joseph Daul, president i PPE, Francë:
“Duke vendosur njëanshmërisht, kundër opinionit të Komisionit, Ministrat e Brendshëm morën një vendim tërësisht të papranueshëm për grupin e PPEsë, e falenderoj zonjën Malmstrom për kurajon.Ajo nuk u gjunjëzua para Këshillit. Ju keni shkatërruar metodën komunitare. Ju nuk mund t’a bëni këtë kështu”.
Debatit i parapriu mbledhja e jashtëzakonshmë e Komitetit parlamentar për çështjet e brendshme, të drejtësisë dhe lirive civile, e cila vendosi të shfrytëzojë të drejtën për të paditur Këshillin para Gjykatës Europiane të Drejtësisë, siç paralajmëroi Martin Shulc pas konferencës së kryetarëve të PE. Me shumicë votash, Komiteti përgjegjës parlamentar miratoi ndryshimet e veta ligjore si për mekanizmin vlerësues, ashtu dhe mbi rivendosjen e përkohshme të kufijve, duke injoruar vendimin e 7 qershorit të Këshillit të Ministrave te Brendshëm të BEsë.
Carlos Coelho, raportues i LIBE, PPE, Portugali:
“Unë akuzoj Këshillin se ka qënë i fiksuar nga dëshira për të shtuar kontrollet në kufijtë e brendshëm. Unë e akuzoj Këshillin se nuk do në të vërtetë një përcaktim vlerësimi për sistemin shengen”.
Morten Bodskov, ministër i Drejtësisë, Presidenca Daneze e BE:
“Do të ishte e gabuar t’a kthenim këtë në një sherr mes Këshillit dhe Parlamentit, sepse të nderuar anëtare, asgjë nuk mund te jetë më gabim e më e dëmshme, sepse ne duam forcimin e bashkëpunimit në Shengen dhe Këshilli shpreson për dialog të mëtejshëm mbi tërësinë e paketës shengen, jo vetëm për propozimin mbi kontrollet kufitare, por edhe mbi çështjen e mekanizmit të vlerësimit”.
Rebecca HARMS, bashkëkryetare për Të gjelbërit, Gjermani:
“Ne do t’i drejtohemi gjykatës. Kjo nuk është një ditë e mirë për Danimarkën apo Europën siç ju thoni në raportin tuaj. Është dita më e trishtë e gjithë presidencës suaj të Këshillit”.
Kjo shënon seancën e fundit plenare për Presidencën Daneze të BEsë, e cila u mbyll njësoj si seanca e janarit, në nisje të mandatit, me debatin për marrveshjen Shengen.
Top Channel